Besnik Prenga është i drejtpërdrejtë. Vetëm luftë sportive, kjo është ajo që pa nga ndeshja me Kamzën. Në lidhjen e drejtpërdrejtë me emisionin “Gol pas Goli” në Supersport ai foli për sfidën, lojën e zhvilluar dhe shumë çështje të tjera.
NDESHJA – “Prisja më shumë nga skuadra, megjithatë desha t’i uroj për këtë pikë që morëm me sakrifica. Ekipi nuk u dorëzua dhe nuk u shthur, sulmoi, fitoi duelin dhe u pa dëshira e lojtarëve për të mos dalë pa pikë. Kjo është Shqipëria, ka pak futboll, luftohet shumë. Dua të komplimentoj të dyja ekipet për luftën që bënë, i dhuruan tifozëve një ndeshje jo të bukur, por të luftuar. Kaq kisha për ndeshjen dhe dëshiroj të luajmë mirë dhe të marrim pikët, jo me forcë si sot.
EUROPA – “Dy fitore të rrisin, dy humbje të ulin poshtë. Nuk po luajmë futboll të bukur, presim më shumë, kemi punuar diçka tjetër dhe luajmë diçka tjetër. Është si të mbjellësh grurë dhe të korrësh misër, hajde merre vesh ç’bëhet. I vetmi lojtar që kishte cilësi në fushë (Plaku), bëri një gol të shkëlqyer, tjerët thjesht vrapuan”.
FILOZOFIA – “Bën një hap përpara, bën tri mbrapa. Nuk i di objektivat për të hyrë në Europë, pasi ekipi i ri nuk po na lejon të luajmë. E vështirë të humbin, të fitojmë. Ishte një ndeshje vështirë për të dyja palët. Nuk e di nëse e kuptuar përgjigjen”.
KARAKTERI – “Ekipi nuk është i njëjti me atë që kemi qenë në Europë. Po të shikosh sot, formacioni është shumë i ndryshëm nga ai i Europës. Ka shumë çuna të rinj dhe na ka ikur cilësia, që nuk e kemi zëvendësuar. Kanë ikur lojtarë si Uzuni dhe Hoxhallari. Kishim dhe Lushkjan të dëmtuar, mendova ta fus në lojë, por mund të dëmtohej sërish. Fati i tillë është, sa i përket lojës, nuk besoj se Kamza e meritoi fitoren më shumë se ne. Jo me rastet që krijuam, por me duelet e fituara. I dhamë mundësi vetes për të shënuar, por nuk ia dolëm deri në minutën e fundit. Edhe ne kemi humbur ndeshje në minuta të fundit dhe dua t’i uroj djemve pikën e marrë.
DHUNA – “Është dhunuar arbitri dhe nuk kemi çfarë të flasim. Janë gjëra që nuk e kanë vendin në futboll. Deri në momenti ne fundit kur i ka rënë bilbilit, ka qenë një ndeshje korrekte nga të dyja palët. Nuk u vu re tensioni, që ishte shumë i madh, sidomos për vendasit”,- përfundoi Prenga.