Ardian Mema e pranoi që të shtunën se takimi me Luftëtarin ishte i sikletshëm, kjo për shkak të asaj çka po paraqiste në fushë skuadra e Julian Ahmatajt. Dje Tirana barazoi në limite dhe shpëtoi nga humbja. Në deklaratën e dhënë për mediat, Mema iu gëzua pikës së marrë.
“Kur ndeshja fillon 1-0 krijohet një lloj presioni, lojtarët nuk ishin të qetë. Në pushim u kërkova të ishin të qetë, pasi nuk do t’i kishim punët mirë. Ia vlejti një pikë, pasi mbajmë poshtë një rival direkt”, tha tekniku i bardhebluve mes të tjerave.
Rezultati nuk vë nën presion vetëm ata që janë në fushë. Madje shpesh ka edhe tension e nervozizëm. Mema u pa i shqetësuar nga disa vendime të gjyqtarit të takimit dhe ka pasur edhe një komunikim për arbitrimin e ndeshjes.
“Nuk kam qenë i nervozuar me gjyqtarin. Kanë qenë disa faulle. Nuk është se merrem me gjyqtarin, por kanë qenë disa faulle të dyshimta. I thashë diçka: ‘mendoj se duhet të jesh më i drejtë’. Ndoshta unë e kam fajin, pasi mund të kem qenë i nervozuar gjatë lojës. Mund edhe të ketë pasur të drejtë gjyqtari. Do i shikoj me qetësi faullet, por nuk do të merrem me gjyqtarët. Dua të merrem me lojtarët e mi, që t’i realizojmë gjërat ashtu sikurse duhet në vazhdim”, shtoi Mema.
I ngacmuar nëse lojtarët e kanë ndjerë presionin e tifozëve, që ishin të shumtë këtë herë në stadium, trajneri i Tiranës devijon paksa: “Një nga gjërat për të cilat më erdhi keq, ishte për faktin se stadiumi ishte plot dhe ne nuk arritëm të fitonim e t’i shpërblenim tifozët. Ata dalëngadalë po vijnë në stadium. Shpresojmë dhe besojmë në vazhdimësi, që të marrim rezultate pozitive në shtëpi”.
Takimi i radhës për Tiranën është ai me Skënderbeun në transfertë. Pikërisht aty është i gjithë fokusi. Mema nuk e shikon përballjen në Korçë si një shans për të ngrohur tifozët më rezultat pozitiv para derbit. Për të vlen gjithçka ndeshja e radhës.
“Ndeshjet e radhës janë më të rëndësishmet. Është më mirë të mendosh për të, se sa të mendosh për një ndeshje që luhet pas dy javëve. Tiranës i duhen pikët dhe kjo është më e rëndësishmja. Derbi vjen shpejt dhe është diçka tjetër dhe do të flasim në kohën e duhur”, përfundoi Mema.