Marko Benasi është një futbollist i Fiorentinës prej vitit 2017. Ai luan në rolin e mesfushorit, ndërsa bën mirë dhe rolin e mesfushorit të majtë. I rritur me moshat e Interit, 24-vjeçari italian ka rrëfyer një detaj interesant gjatë debutimit me ekipin e parë zikaltër.
Ishte 13 janari i vitit 2013, kur Andrea Stramaçioni i dhuronte një vend në formacion 18-vjeçarit Benasi. Në një prononcim për “DAZN”, ai i rikthehet dhe njëherë atij momenti emocionues dhe zbulon lojtarin që ia bëri më të thjeshtë debutimin me ngjyrat zikaltër.
“Më kujtohet se tre ditë përpara ndeshjes Zaneti më thirri veç e më tha: ‘Trajneri po mendon të luajë bashkë me ty. Rri i qetë, sepse aty ku nuk do të mund të mbërrish ti, të ndihmoj unë’. Unë zbrita në fushë i qetë, duke u përpjekur për të dhënë më të mirën time, por isha vetëm një djalosh dhe nuk e kuptoja se ku isha dhe çfarë po bëja”, përfundon lojtari i Fiorentinës së Piolit.