Gasperini: Gatuzo e ka bërë Milanin si vetja, test force për ne!

Xhan Piero Gasperini ka një bilanc pozitive me Xhenaro Gatuzon, pasi në tre përballjet mes tyre nuk është mposhtur asnjëherë. Ai regjistron një fitore dhe dy barazime, ndërkohë që nesër prej orës 20:30 Atalanta dhe Milani do të vihen përballë.

Për teknikun e zikaltërve, ndeshja është e rëndësishme. Gjithsesi ai ngulmon që nuk është vendimtare, pasi kampionati ka edhe shumë ndeshje deri në fund. “Ndeshja me Milanin do të jetë një test i mirë, nga ata të fortët. Gjithsesi ne jemi gati. Nuk është ndeshje vendimtare, por e rëndësishme sigurisht. Është një takim nga ato që të jep besim dhe bindje për vazhdimësinë”, thotë Gasperini.

Më tej ai shtoi: “Nisim një periudhë kur do të përballemi me ekipe që i kemi afër në renditje. Le ta jetojmë këtë moment me dëshirën për të bërë mirë. Për klasifikimin nuk ëshët vendimtare, por duhet të luajmë mirë. Më saktë njësoj siç bëmë kur u ndeshëm me Juventusin”.

Gasperini më tej pranon se përballen me një tjetër Milan, por edhe Atalanta e tij është përmirësuar nga ndeshja e fundit që kanë zhvilluar me kuqezinjtë. “Gatuzo është i aftë, ai ka arritur ta ndryshojë Milanin. E ka kthyer në një ekip të vështirë për t’u mundur, duke i veshur pak nga karakteri i tij. Është një ekip i madh dhe me lojtarë të rëndësishëm. Do jetë një mundësi që të matim forcat me ta.

Këto janë ndeshje që duhet t’i interpretojmë me respekt, vëmendje të madhe dhe përqendrim. Ndeshjen e parë nuk kemi bërë një lojë të mirë. Nesër shpresoj të jetë një tjetër paraqitje. Nga ajo ndeshje jemi rritur shumë të dyja ekipet”, tha tekniku i Atalantës, që nesër kundër Milanit do të jetë në stol për të 100 herë me ngjyrat zikaltër.

“Ndoshta bëj edhe 100 ndeshje kështu, me këto rezultate. Duhet të ruajmë këtë lloj energjie, këtë shtysë të madhe që na vjen nga ambienti dhe ta shprehim në fushë. Kemi nevojë të bëjmë paraqitje të rëndësishme deri në fund”, përfundoi Gasperini.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *