Presidenti i Milanit, Paolo Skaroni ka deklaruar se në merkaton e verës, një tjetër emër i madh do të vijë te kuqezinjtë. Lukas Paketa dhe Kristof Piatek u transferuan në janar në Milano dhe të dy kanë bërë paraqitje shumë të mira.
Skaroni, president që nga koha kur “Elliot Management” mori drejtimin e klubit, pranoi se ky emër i madh do të vijë me patjetër te Milani, por mbetet për tu parë “FairPlay” financiar.
“Kemi një CEO shumë të mirë si Gazidis, i cili ka lidhje të forta në Angli dhe në Amerikë (MLS)”,- tha fillimisht Skaroni, i cili më pas shtoi: “I kemi ndarë detyrat dhe të gjithë po bëjnë maksimumin që Milani të arrijë në majat e futbollit.
Takova një tifoz të Milanit dhe më pyeti: “President, pse nuk blen një tjetër lojtar të madh?” I premtova që do të vijë një lojtar i madh në verë, por gjithmonë nëse UEFA e lejon diçka të tillë.
Fillova t’i shpjegoj dhe mënyrën sesi blihen lojtarët dhe ishte shumë e vështirë për ta që ta kuptonin. Futbolli po ndryshon shumë dhe transferimet po bëhen gjithnjë e më të vështira. Megjithatë, ne do të adaptohemi dhe do të bëjmë të pamundurën që futbollistë cilësorë të vijnë këtu”,- përfundoi Skaroni.