Situata te Flamurtari nuk është aspak e mirë. Bashkia e Vlorës e ka hequr barrën nga vetja dhe deri në fund të sezonit mund t’i gëzohet milionave të hedhura nga kompanitë turke, por për të ardhmen duhet të mendojë zgjidhje tjetër.
Vjet nisi vlerësimi për aksionet e klubit, por ende nuk ka asgjë të re. Administratori Sinan Idrizi bërtet me të madhe për privatizimin e klubit dhe ende asgjë. Ka vite që e kërkon diçka të tillë në fakt. Gjithçka është peng e burokracive dhe e mungesës së dëshirës për t’i bërë gjërat si duhet në vendin tonë.
Sinan Idrizi është i lodhur nga gjithë kjo situatë e krijuar dhe e ka thënë shpesh: “Boll, kështu nuk vazhdohet”. Në fund të sezonit me shumë gjasa ai do t’i lërë çelësat në dorë kryebashkiakut Dritan Leli dhe Këshillit Bashkiak të Bashkisë Vlorë: “Merreni Flamurtarin, është i juaji”.
Gjatë këtyre viteve shpenzimet kanë qenë të mëdha, por nuk duhet harruar se pagat janë dhënë shpesh me vonesë. Madje disa muaj pas. Ka pasur edhe shpërblime prej vonesave, por ç’e do. Lojtarët duan të paguhen në kohë, ndryshe edhe rezultatet nuk do të jetë ato që priten.
Kur nuk paguan, ka edhe bojkot. Ka ndodhur në të shkuarën me gjithë ekipin, kurse tani kanë nisur ta bëjnë diçka të tillë individë të veçantë. Idrizi kish premtuar shlyerjen e futbollistëve ditën e djeshme, gjë që nuk ka ndodhur. “Do paguheni gjatë javës”, ka qenë premtimi i fundit. Se çfarë do të ndodhë nuk i dihet, por në Vlorë më së shumti duhet të shqetësohen për atë që i pret në fund të sezonit.