Merkato në “lupën” e Gegës”: mbipopullimi, largimi i Jusufit dhe dyshja Çinari-Mensah

Skënder Gega, trajneri i Partizanit, ka dalë sot para mediave për të folur në lidhje me ndeshjen e radhës me Kamzën dhe merkaton. Fillimisht ai u pyet në lidhje më lëvizjet e bëra nga drejtuesit e klubit dhe sigurisht nuk mund të mos komentohej fakti që nuk u morë një sulmues.

“E para është kënaqësi dhe të jep siguri, pasi kampionati është i gjatë dhe kupa është ne mes. Jemi profesionistë, sfida është mes lojtarëve. Unë bëj përzgjedhjet si trajner. Do i mbështes të gjithë, fusha përcakton kush luan. Sa më e fortë të jetë familja, aq më mirë është”.

“Sulmuesi? Nuk kam thënë se dua sulmues, por ekip që luan në mbrojtje e sulm. Jemi të parët dhe ajo pjesa e sulmit ka bërë detyrën më së miri. Shpresoj të rritemi si grup. Kemi shikuar për lojtarë, në janar është vështirë të marrësh dikë pa kontratë. Megjithatë nëse do vinte dikush, do isha i kënaqur”.

“Largimi i Jusufit? U afrua në fund të dhjetorit, nuk ka qenë ndonjëherë i preferuari im. Është fusha ajo që do tregojë nëse është i preferuari i ekipit apo i trajnerit. Ishte djalë pozitiv, kishte dëshirë për të luajtur. Kishte pretendimet e veta dhe është e ndershme. Askush nuk e ka vendin të sigurt te Partizani. Vendi duhet fituar”.

“Loja në grup ka treguar se lojtarët e sulmit që kemi janë pjesë shumë e shëndoshë e paraqitjeve tona. Do mundohemi të marrim edhe më shumë prej tyre. E bëjnë shumë mirë pjesën sulmuese. Mala nuk ka qenë sulmues, por del shumë para portës më shumë se të tjerët dhe shënon”.

“Mbipopullim në mesfushë? 18 do jenë të grumbulluar, 25  në stërvitje. Është komode dhe luks të kesh lojtarë që kanë qenë pjesë e një ndeshjeje. Sfida është mes lojtarëve. Kemi qetësi kur kemi mungesa. Nuk mund të bëjmë qoka, të marrim 11 lojtarë vetëm për ekipin e parë. Është luks nëse ke një grup të madh lojtarësh të të njëjtit nivel. Shpresoj të kemi marrë njerëzit e duhur dhe të na japin shtytje më të madhe. Ta fitojnë vendin me punë. Nuk premtoj se do të luajë ndonjë titullar”.

“Çinari? Që kur ka ardhur, nuk i kam premtuar minutazh. Ai është lojtar 21-vjeçar që po punon shumë mirë. Kam një mision shumë të vështirë, nuk i bëj dot të lumtur të gjithë njëherësh. Njerëzit duhet të kenë durim, të presin. Unë kam durim, do të bëjë atë që është më e mira për Partizanin. Çinari nuk ka kërkuar të largohet, është pjesë e jona dhe unë nuk nxjerr askënd në merkato, as për huazim. Të shohim, do ketë edhe ai mundësitë e tij”.

“Trashi e Hila? Janë lojtarë me vlera, shumë të rëndësishëm për ne. Hila do të mungojë për pak ditë, për fat të keq, ndërsa për Trashin është normale të mungojë për pezullim. Do ta ndjejmë mungesën e Trashit, por kemi njerëz dhe do të mundohemi të gjejmë zëvendësin e duhur për të dy”.

Rivalët, s’ka më emra të mëdhenj? Kanë dalë ekipe të tjera, është krijuar histori tjetër. Të gjithë janë rivalë, deri në fund. Teuta barazoi dhe u shkëput pak, por janë edhe 17 ndeshje deri në fund dhe janë shumë ndeshje. Mendoj vetëm për Kamzën, asgjë tjetër”.

“Kontaktet e Tiranës me Mensah? Nuk e di si ka ndodhur saktësisht. Mensah ka qenë pjesë shumë e rëndësishme e ekipit, nuk e kam kërkuar asnjëherë largimin e tij. Të gjithë duan minuta, por nuk e vendos që në fillim të sezonit. Formacioni vendoset javë pas jave. Mensah ka qenë i joni, nuk më intereson si ka qenë kontakti me Tiranën”.

“Afrimet? Të gjithë kanë pasur miratimin tim, janë të gjithë në provë. Kemi bërë punë të mirë, pa u ngutur, duke i parë në detaje. Në letër duket gjithçka mirë, kur të zbresin në fushë uroj të përshtaten sa më shpejt me ne.

“Bajko është shprehur se nuk është pjesë e karakterit tuaj që t’i kritikoni lojtarët publikisht. E bëni diçka të tillë brenda ekipit? Neptuni dhe Birçe janë dy nga idhujt e mi, sepse kam bërë karrierë me këta trajnerë, para rreth 30 viteve. Isha i ri në atë kohë, vazhdoj të kem sedrën dhe ambicien që kam pasur, mundohem të transmetoj çdo gjë të mirë që është investuar tek unë, ashtu si mundohem të korrigjoj gjërat që nuk funksionojnë. Vlerësoj çdo gjë që thuhet karshi meje, pozitive apo vërejtje”.

“Kundërshtari i nesërm? Kamza ka ndryshuar, nuk di ta them progres apo regres. Kanë bërë një goditje shumë të mirë me Gjokën, është një trajner që punon me pasion dhe ka eksperiencë për t’i bërë gjërat si duhet. Çdo ndeshje është si finale, është momenti për të bërë atë që kemi kaq kohë që synojmë. Na duhet fitorja, do të bëjmë çmos për të marrë 3 pikët. Kemi në favor edhe tifozët, do të jenë të shumtë, ishin edhe në Korçë në acar, jo më këtu”.

“Duka dhe Lukas? Duka u dëmtua ndaj Dinamo Zagrebit, ndaj duhet kujdes. Shumë shpejt do të jetë pjesë e ekipit. Lukas? Vazhdon të jetë shumë mirë, luajti në një terren të vështirë në Korçë, është stërvitur dje dhe nuk duket se ka probleme gripi”.

FLORIAN ALLA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *