Timue Bakajoko hasi vështirësi në fillimet e tij me Milanin, por tashmë i ka bërë të gjithë për vete. Mesfushori u huazua nga Çelsi, ndërsa kuqezinjtë kanë të drejtën për të blerë kartonin e tij për shumën e 35 milionë eurove. Përshtatja me futbollin italian nuk ishte aspak e thjeshtë, dikush filloi dhe ta kritikonte, por francezi uli kokën, nuk foli kurrë dhe filloi të luante çdo ndeshje e më mirë. Karakter, forcë fizike dhe mentaliteti i duhur.
Ai ndodhet në një formë shumë të mirë dhe është kthyer në digën e mesit të fushës së ekipit të Gatuzos. Trajneri i ka besuar gjithmonë dhe sot ndjen kënaqësi që 24-vjeçari ia ka shpërblyer me paraqitjet e tij. Te Milani janë bindur për cilësitë e lojtarit dhe janë gati të paguajnë shumën e kërkuar te Çelsi. Kualifikimi i Milanit në Champions do të siguronte paratë e duhura për blerjen e kartonit të gjigantit të mesfushës, ndërsa lojtarin e pret një kontratë afatgjatë.
Vetë Bakajoko foli për mundësinë e tij të qëndrimit te Milani, ku tha: “E kam dëgjuar çfarë ka thënë Leonardo, por nuk jam në pozicionin e duhur për të folur për të ardhmen time. Kjo është një çështje që i takon Milanit dhe Çelsit, por nëse do të ishte në dorën time, do të qëndroja këtu. Është një ëndërr të luash për Milanin dhe jam 100% i gatshëm të jap maksimumin për këtë fanellë”,- u shpreh Bakajoko.