Tirana ka marrë një fitore mjaft të rëndësishme ditën e sotme ndaj Kamzës. Pas ndeshjes, ka folur tekniku i bardhebluve, Ardian Mema. Numri një i stolit të Tiranës ka folur në “Supersport”, në emisionin “Gol pas Goli”.
Humbjet e penalltive – “Kam bërë unë një gabim që nuk kam përcaktuar se kush do të gjuajë penalltitë. Ngo e mori penalltinë vetë dhe nuk e ndalova, mendova se do të shënojë gol. Ishte i pafat dhe penalltia është 50/50. Unë jam i kënaqur që ekipi luajti mirë dhe kjo penallti nuk ndikoi”.
Viti i ri – “Shpresoj që ky të jetë një vit pozitiv. Ekipi ka bërë një fazë përgatitore shumë të mirë dhe kanë qenë të preokupuar për të ndihmuar skuadrën. Skuadra ka shfaqur goxha gjendje të mirë fizike dhe kjo gjë më mbush me shpresë”.
Acarimi me Ngo – “Jo, unë nuk i acarova aspak me Ngo. Të gjithë ishin në stres dhe unë iu kërkova që të mos e mbanin mendjen aty. I thashë Ngo që ai do të na nxirrte nga kjo situatë. Për momentin, kam raporte shumë të mira me të dhe është një djalë shumë pozitiv.”
Mungesa e Hasanit – “Në dinamikë, ndodh që shpeshherë që mesfushorët janë dy ose vetëm një para mbrojtje. Për ndeshjen e radhës kundër Teutës, mund të vendosemi ndryshe. Do të përgatisim ndeshjen pa Hasanin dhe do të vendos se kush do të luajë në formacion”.
Formacioni më i mirë – “Pak a shumë, ekipi ky është. Sezoni është i gjatë, por pak a shumë këto lojtarë do të luajnë, pasi nuk kemi as shumë alternativa. Po presim akoma për përforcime, por dhe me këto lojtarë, duhet të përballohet komplet sezoni. Qendra e mbrojtjes është disi me probleme, por do të punohet shumë në këtë aspekt, si në fushë, ashtu edhe me video. Lojtarët ishin në stres dhe një nga gjërat që fola me ta ishte të qetësohen.”
Sulmi më i mirë në Superiore – “Kjo skuadër vjen nga një gjendje psikologjike e keqe. Fitoret të japin një lloj garancie dhe unë të them të drejtën, punoj shumë për repartin e sulmit. Faza mbrojtëse është e gjithë grupit. Megjithatë, mendoj se ky grup lojtarësh ka bërë përformancë të mirë, ndoshta në vazhdim do të jemi edhe më mirë. Duhen harruar rezultatet e mëparshme dhe të shohim përpara, pasi kështu do të arrijmë aty ku duhet. Koha do t’i tregojë të gjitha”,- tha Mema.