Kukësi-Laçi, një takim që ka të sigurt luftën sportive. Rivaliteti mes dy klubeve është i madh, ndërkohë që edhe objektivat i detyrojnë verilindorët të marrin pikët maksimale. Partizani i ka vënë në presion pas fitores me Skënderbeun, kurse në krahun tjetër do të kenë përballë një Laç që nuk dëshiron të humbasë.
FORMACIONET DHE ARBITRAT – Armando Cungu i mbetet besnik mbrojtjes me tre, por sigurisht edhe me ndihmën e anësorëve. Maliki u ka prishur planet verilindorëve dhe në mesfushën me katër lojtarë përfshihet Melo në të djathtë dhe Rrumbullaku në të majtë. Rroca do të jetë titullar, kurse për vendin tjetër ka balotazh mes Limajt dhe Dzarias. Çyrbja dhe Ethemi do të mbështesin Shkurtajn, me Rexhinaldon që duhet ta nisë nga stoli.
Laçi nga ana tjetër i rikthehet rreshtimit me katër mbrapa. Në Kupë tekniku Prenga përfshiu edhe Toron në prapavijë, por këtë herë kiliani e nis nga stoli. Treshja e mesfushës, Eller-Lushkja-Jonuzi, janë preferenca e parë, ndërkohë që ka dilema për sulmin. Ka pasur shumë prova, me mesfushë romb dhe dy sulmues, si dhe me tre. Njëri në treshen e sulmit mund të sakrifikohet për Çokajn.
Sektori i Arbitrimit në FSHF ka zgjedhur edhe ata që do të vendosin drejtësi në ndeshjen Kukësi-Laçi. Kryesor është Eldorian Hamiti, i cili i ka gjykuar edhe më parë këto dy skuadra. Ridiger Çokaj është njëri prej anësori, ndërkohë që nuk mungon as Denis Rexha.
KATEGORIA SUPERIORE – JAVA 19
E shtunë, më 26 janar, ora 14:00
Stadiumi “Kamza”, Kamzë
Kukësi-Laçi
Kukësi: Frashëri, Krasniqi, Shameti, Cuculi, Uilliam, Limaj (Dzaria), Rroca, Rrumbullaku, Çyrbja, Ethemi, Shkurtaj. Trajner: Armando Cungu
Laçi: Selmani, Fangaj, Mersinaj, Gjoni, Sefgjini, Eller, Lushkja, Jonuzi, Shtubina, Berisha, Xhixha. Trajner: Besnik Prenga
Gjyqtarë: Eldorjan Hamiti, Ridiger Çokaj, Denis Rexha, Indrit Myrtja
Delagat: Alban Tafaj; Vëzhgues: Plarent Kotherja
BILETAT – Klubi i Kukësit njoftoi fillimisht se hyrja në stadium për ndeshjen me Laçin ishte falas, por korrigjimi ishte i shpejtë. Në tribunën kryesore hyrja do të jetë me biletë, madje me “çmimin” e kripur 1 mijë lekë të reja. Karshia do të jetë falas, kurse për miqtë nga Laçi një biletë kushton 200 lekë. Sikurse kuptohet, për “bosat” dhe tifozët kundërshtarë hyrja do të jetë kundrejt pagesës.