Frenki De Jong është zyrtarisht lojtar i Barcelonës. Talenti holandez do t’i bashkohet katalanasve në fillimin e sezonit të ardhshëm. Barça ka gjetur akordin me Ajaksin për një shumë që mund të shkojë deri në 86 milionë euro (11 prej të cilave janë bonuse), ndërsa De Jong do të luajë si i huazuar në pjesën e mbetur të sezonit te gjiganti holandez.
De Jong ishte një nga emrat më të përfolur në këtë merkato dhe mendohej se kishte gjetur akord me PSG-në, por Barcelona arriti të sigurojë shërbimet e mesfushorit 21-vjeçar, duke e bindur të zgjedhë kampionët e Spanjës para atyre francezë.
De Jong ka bërë një sezon të shkëlqyer deri më tani dhe është talenti më premtues në Holandë, pavarësisht se De Ligt është një konkurrent i fortë për këtë vlerësim. Gjithsesi, mesfushori ka treguar se është gati të luajë në nivele të larta dhe transferimi i tij te Barcelona, e vërteton këtë gjë.
“Barcelona dhe Ajaks kanë arritur një marrëveshje për transferimin e mesfushorit Frenki de Jong, i cili do të bashkehet me klubin katalanas prej 1 korrik 2019. Ai do të firmosë kontratë 5-vjeëare, deri në sezonin 2023-24″, shkruhet në komunikatën zyrtare të Barcelonës.