Emiliano Sala, sulmuesi që mahniti Francën dhe fluturimi që i preu ëndrrën

Nga ERDI KËRÇIKU

Mbrëmjen e 21 janarit, në orën 20:30, avioni Peper Malibu në të cilin udhëtonte Emiliano Sala, lojtar i ekipit të Nantës në Ligën parë franceze, pati kontaktin e fundit me qendrën e kontrollit. Italo-argjentinasi ishte nisur nga Nanta në drejtim të Kardifit, ekipit të tij më të ri në Premier Ligë.

Momentalisht, kur kanë kaluar më shumë se 36 orë nga zhdukja e mistershme, pavarësisht kërkimeve, ende nuk ka asnjë shenjë të lojtarit apo të pilotit që ishte në bordin e avionit. Lumturia e 28-vjeçarit, i cili para pak ditësh firmosi kontratën e jetës duket se nuk zgjati shumë.

Prezantimi me Kardif Sitin (m), avioni me të cilin udhëtonte Sala dhe zona ku supozohet të ketë rënë (d)

Zakonisht, kur një njeri humbet jetën, atëherë nis dhe vlerësohet, por rasti i Emiliano Salës nuk është i tillë. Gjithnjë, në Francë sidomos, është cilësuar si një nga sulmuesit më luftarakë që kanë luajtur në Ligën e parë.

E nisi rrugëtimin e tij në Evropë duke kaluar menjëherë nga Argjentina në Ligën e parë franceze, ku e priste Bordoja. Në atë kohë vetëm 20 vjeç, nuk arriti të “çante” në ekipin e parë dhe luajti me rezervat. Djaloshi 20-vjeçar shënon 11 herë në 29 ndeshje si titullar në sezonin e tij të parë. Jo keq për një të sapoardhur nga Argjentina.

Tre sezonet e ardhshme i kalon në huazime, fillimisht në “National” (liga e tretë franceze), me ekipin e Orleans. 19 golat e ndihmojnë që sezonin e ardhshëm të hauazohet te Niorti në “Ligue 2”. Përsëri sezon pozitiv, teksa tund rrjetën 18 herë në 37 takime, duke qenë pikë referimi për ekipin e tij.

Koha kur luante me Niortin (m)
Me fanellën e Orleans (d)

Në verën e 2014, pritej rutina e përhershme. Kthim te Bordoja dhe huazim diku tjetër. Por këtë herë nuk ndodhi kështu, pasi zhirondinët vendosën t’i besonin. Gjysmë sezoni me Bordon, asgjë për t’u përmendur, vetëm katër takime si titullar dhe një gol i shënuar. Në janar kthehet te rutina…

Kaeni i beson dhe e merr në huazim. Gjysmë sezoni i mjaftoi për të luajtur, shtatë takime si titullar dhe gjashtë si zëvendësues. 5 gola të shënuar, me një mesatare, gol çdo dy ndeshje. Aq i mjaftoi, Emiliano Salës që të bindte Nantën të paguante 1 milionë euro për ta marrë në radhët e tyre.

Kohë kur Sala luante me Kaenin. Në foto momenti kur i ka shënuar Marsejës.

Sezoni i parë ishte si nxehmje për italo-argjentinasin, i cili shënoi vetëm 6 gola në 22 ndeshje si titullar. Pavarësisht se nuk dha më të mirën në vitin e parë në Nantë, sezoni 2016/2017 do të ishte një ndër më të suksesshmit për Emiliano Salën, teksa me 12 gola ndihmoi ekipin e tij të renditej në vendin e shtatë në Ligën e parë.

I njëjti rendiment vijoi dhe në sezonin pasardhës ku shënoi 12 herë dhe Nanta e tij u rendit e nënta. Për të ardhur në sezonin aktual. Padyshim, më i miri në gjithë karrierën e tij. Një fazë e luajtur, 12 gola të shënuara me “kanarinat”. Ato që kishte bërë sezonin e shkuar dhe dy sezone më parë, i bëri në vetëm një fazë këtë vit.

U përfol pafund, teksa në një periudhë rivalizonte dhe yjet e PSG-së për golashënuesin më të mirë, si dhe ishte një ndër sulmuesit argjentinas më me shumë gola të shënuar këtë sezon. Gjysmë sezoni perfekt, u kurorëzua me interesimin dhe kalimin në Premier Ligë. Padyshim, një ëndërr për çdo lojtar. 17 milionë euro në tavolinë për Nantën dhe një kontratë me shifra të majme për sulmuesin.

Moment nga prezantimi i tij me Kardif Sitin

“Ka ardhur Sala i ri në qytet. Shumë i lumtur që nënshkruaj këtu. E di që sfida është e madhe, por së bashku do t’ia arrijmë. Pres me padurim të zbuloj Premier Ligën dhe skuadrën”, ishin këto fjalët e sulmuesit pas nënshkrimit të kontratës me Kardifi Sitin.

Pas këtij postimi, është dhe një postim i fundit. Ai me ish-ekipin e tij, të cilët kërkoi vetë t’i takonte dhe mori leje në klubin e Kardifit. Shkrimi në foto “La ultima ciao”, nuk ka nevojë për shumë koment. Ndoshta ka qenë me të vërtetë lamtumira e fundit…

“E imagjinoj që tani që Emiliano ka zbritur në një plazh në Guernesey dhe me pilotin në shpatulla po thotë: e kam hundën e thyer, por do të luaj të shtunën”.

Të gjithë jemi me sytë nga qielli dhe lutemi që këto fjalë të bëhen realitet dhe “luftëtari” Sala të shfaqet për të tundur rrjetën dhe për të çuar peshë tifozët përsëri…

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *