Bakaj e mbyll me Kosovën, kthehet në Superiore

Pas një sezoni mjaft të mirë, gjatë merkatos së verës Edvan Bakaj la Lirinë e Prizrenit dhe nënshkroi me kampionët e Dritës, aty ku luajti në Kupat e Europës dhe fitoi Superkupën në finalen përballë Prishtinës. Aventura e portierit me ekipin gjilanas zgjati  gjashtë muaj, ndërsa palët i kanë dhënë fund bashkëpunimit mes tyre.

Në një prononcim në faqen e saj zyrtare në rrjetet sociale, klubi i Dritës lajmëron ndërprerjen e kontratës me 31-vjeçarin nga Tirana. Kampionët në fuqi të Kosovës falënderojnë Bakajn për kontributin e dhënë dhe i urojnë suksese në të ardhmen, ndërsa ai është në pritje të ndonjë ofertë për të vazhduar karrierën tjetërkund.

“Edvan BAKAJ lirohet nga FC DRITA. Një marrëveshje për shkëputjen e bashkëpunimit në mes të gardianit nga Shqipëria Edvan Bakaj dhe klubit tonë është arritur sot në zyrat e klubit!
Bakaj erdhi ne verë nga Liria e Prizerenit por që nuk u përshtatë mirë me klubin dhe me marrëveshje të dyanshme janë ndarë rrugët. FC DRITA e falënderon Vanin për kontributin e dhënë dhe i dëshiron suksese në karrierë”, shkruan klubi i Dritës në postimin e bërë.

Gardiani i portës ka folur për “Sportekspres.com”, duke mos i kursyer fjalët e mira për një vit e gjysmë të kaluar në kampionatin kosovar. Një vit me Lirinë dhe gjashtë muaj me Dritën, aty ku ka kaluar shumë mirë, ndërsa arsyet familjare e detyruan të kthehet në Shqipëri. Bakaj ndihet mirë që ka punuar me trajnerët Shpëtim Duro dhe Bledi Shkëmbi, të cilët i vlerëson shumë.

Shumë i respektuar për aventurën në Kosovë. Në një vit te Liria dhe gjashtë muaj me kampionët e Dritës krijova raporte profesionale dhe miqësore. Situatë shumë e mirë, si nga ana sportive, ashtu edhe korrektësia financiare. Do kthehem në Shqipëri për arsye familjare, shumë shpejt do tregoj ekipin e ri. Respekt sidomos per drejtuesit e Dritës“.

Kam punuar me Shkëmbin dhe Duron, jam ndjerë shumë mirë me të dy. Jam munduar t’i ndihmoj sadopak në periudhën që kemi punuar së bashku. Duro është trajner me shumë përvojë, Shkëmbi ka të ardhme të madhe në stol“.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *