Armando Sadiku është rikthyer te Lugano në Zvicër. Sulmuesi shqiptar ishte i ftuar në emisionin “Zona Gol”, ku shpjegoi pse vendosi të rikthehej te skuadra, ku “shpërtheu” vite më parë. Dëmtimi në gju dhe aventura e “hidhur” spanjolle ishin tema të tjera që “bomberi” i kombëtares sonë preku gjatë emisionit.
PARAQITJET NË LIGA – “Nuk kam pasur fat në Spanjë. Sa shkova pësova një frakturë në hundë e më pas pësova një ulje të formës”.
GJENDJA PSIKOLOGJIKE PAS DËMTIMIT NË GJU – “Nuk jam i frikësuar prej dëmtimit në gju. E kam pësuar dhe më parë e jam rikthyer më i fortë. Askush te Levante nuk e priste që të kthehesha në stërvitje me grupin pas vetëm katër muajsh. Kam pasur mbështetjen e plotë të familjarëve dhe shokëve”.
“Kam pasur një sërë ofertash: Nga Liga e dytë e spanjolle dhe Turqia. Por, duke qenë se të dyja këto kampionate kanë filluar, mua do të duhej të rrija 1 muaj sa të merrja vetes, ndërsa në Zvicër kampionati fillon më vonë dhe kjo gjë i shkon për shtat situatës sime. Kam edhe dy vite kontratë me Levanten, ndërsa te Lugano jam i huazuar deri në gjashtë muaj”.
KRIZA E GOLAVE NË KOMBËTARE – “Jemi një kombëtare e vogël. Ne krijojmë 2 ose tre raste për ndeshje. Unë kam pasur fatin që t’i shfrytëzoj në maksimum rastet që më janë dhënë. Për çdo sulmues nuk është e lehtë. Gjatë viti të kaluar patëm një ulje, por shpresoj që gjatë 2019-ës të kthehemi si më parë”.