Mançester Junajtid mposhti Brajtonin me rezultatin 2-1 në shtëpi dhe siguroi fitoren e gjashtë rresht në kampionat. Ardhja e Solskjaer i ka bërë mirë “Djajve të Kuq” dhe tashmë arritja e vendit të katërt është shumë afër.
Uejn Runi është një legjendë e “Djajve të Kuq” dhe golashënuesi më i mirë i historisë së klubit anglez. Sulmuesi i është rikthyer dhe njëherë marrëdhënies së vështirë midis Pol Pogba dhe ish-trajnerit Zhoze Murinjo.
33-vjeçari ka folur për “ESPN”, duke shpjeguar mendimin e tij. Francezin e njeh prej kohësh, e ka parë të rritet, e vlerëson shumë dhe tregon shkakun e raportit të keq midis tij dhe trajnerit portugez.
“E njoh mirë Polin dhe e ndjek që kur ishte pjesë e të rinjve. E kam parë duke u rritur, ka shumë potencial dhe cilësi fantastike. Nëse nuk ke një raport të mirë me trajnerin është e vështirë të japësh maksimumin, sidomos kur beson se trajneri po kontrollon çdo gjë tënden dhe çdo hap që hedh. Pogba duhet lënë të luajë i lirë, të pasojë topin, të provojë gjërat që ka në kokë, sepse dy-tre pasime të tij krijojnë raste të rrezikshme për të shënuar. Këto kufizime besoj se kanë qenë shkaku i marrëdhënieve të vështira me Murinjon. Mendoj se ‘përplasja’ e një lojtari me një trajner plot ego nuk sjell rezultate të mira. Ka ndodhur pikërisht kjo gjë”, përfundon Uejn Runi.