Një nga miqësoret e luajtura sot ishte dhe Teuta përballë Laçit, një sfidë ku u përplasën dy ekipe të kreut në Superiore. Si kurbinasit, ashtu dhe durrsakët kanë bërë ndeshje të mira në miqësoret e zhvilluara deri më tani dhe kjo ishte një provë shumë e mirë për të dyja skuadrat.
Pjesa e parë u mbyll pa gola në Durrës, por të dyja skuadrat kishin raste të pastra për të shënuar. Fillimisht, ishte talenti i Teutës, Kallaku, ai që nuk ia doli të gjejë rrjetën përballë portierit të ri, Sali, i cili e ndali tentativën e 20-vjeçarit.
Edhe Laçi kishte mundësi për të shënuar, por sulmuesi i kurbinasve Xhixha, ishte i pafat, pasi gjuajtja e tij u përplas në traversën e portës së mbrojtur nga Isli Hidi. Traversën do e godisnin edhe “Djemtë e Detit” në pjesën e dytë. Mesfushori anës, Gerhard Progni ishte njeriu që tronditi portën e Salit, pasi gjuajtja e 32-vjeçarit u përplas fort në traversë.
Megjithatë, Progni do të gjente rrugën e rrjetës disa minuta më vonë. Mesfushori i durrsakëve do të mposhte portierin Sali në minutën e 67’ të sfidës, duke zhbllokuar shifrat dhe duke i dhënë avantazhin të besuarve të Shkëmbit. Prognin e asistoi direkt nga porta “gardiani” Celeski, i cili u aktivizua në pjesën e dytë në vend të Hidit.
Në minutën e 76’, Teuta do të dyfishonte, me anë të mesfushorit Klinti Qato. 21-vjeçari lëshon një goditje shumë të bukur nga jashtë zone dhe ndëshkon sërish portierin e kurbinasve. Ky gol i Qatos do të vendoste dhe rezultatin final të sfidës, me Teutën që fitoi pastër 2-0.
Miqësore, 16 janar 2019 – “Olimpic Park”, Durrës
Teuta – Laçi 2-0
Shënues: Progni 67’, Qato 76’
Teuta: Hidi, Frashëri, Osmani, Shkalla, Beqja, Gashi, Sidibe, Traore, Kallaku, Progni, Kamara. (U aktivizuan: Celeski, Avdyli, Qato, Bicaj, Vila, Vecaj). Trajner: B. Shkëmbi
Laçi: Sali, Sefgjinaj, Fangaj, Mersinaj, Shtubina, Eller, Çokaj, Jonuzi, Lushkja, Berisha, Xhixha. (U aktivizuan: Toro, Pjeshka, Cema, A. Berisha, Bytyçi). Trajner: B. Prenga
Gjyqtar: Klodian Shahini