Sokol Cikalleshi nuk ka qenë shumë i preferuar nga trajneri i Goztepes në gjysmën e parë të sezonit, me sulmuesin shqiptar që ka luajtur më shumë në ndeshjet e Kupës së Turqisë, duke u anashkaluar në kampionat.
Kjo dhe për shkak se skuadra turke është e mbingarkuar në repartin e sulmit dhe flitej edhe për një largim të mundshëm të Cikalleshit. Megjithatë, ndeshjet në Kupë kanë mjaftuar që drejtuesit dhe trajneri të binden dhe ta mbajnë në skuadër Cikalleshin, duke “sakrifikuar” një lojtar tjetër të njohur.
Cikalleshi ishte në balotazh me ish-sulmuesin e Portos, Nabil Zhilas dhe njëri nga dy do të largoheshin me patjetër në janar. Drejtuesit e Goztepes kanë zgjedhur që Zhilas të largohet, duke preferuar Cikalleshin për ta mbajtur në skuadër dhe në gjysmën e dytë të sezonit, sulmuesi kuqezi mund të aktivizohet më shumë.