Fabregas: Hudson-Odoi talent i madh, kam një këshillë për të rinjtë!

Çesk Fabregas e ka mbyllur me Çelsin dhe tanimë do të mbrojë ngjyrat e Monakos në Francë. Mesfushori spanjoll kishte disa oferta dhe pret me dëshirë të madhe të nisë eksperiencën e re. Sarri nuk i ka shumë hapësira 31-vjeçarit, ndërkohë që u mallëngjye në ndeshjen e fundit me fanellën e Çelsit.

“Më duket sikur javën e shkuar nisa të luaj si profesionist dhe tani kanë kaluar më shumë se 15 vite. Është një kohë e gjatë, por për lojtarët e rinj që nisin futbollin një këshillë e vogël e imja është që të shijojnë çdo sekondë. Gjithçka kalon shumë shpejt. Në futboll duhet të jesh gati çdo tre ditë, duhet të jetosh me kritikat, duhet të jetoni me atë që të gjithë thonë sa i mirë ju jeni, me ulje-ngritje. Dhe ju mendoni se jeni të rinj, keni kohë. Por koha me të vërtetë fluturon, ndaj shijojeni çdo sekondë të karrierës tuaj”, shprehet Fabregas për sajtin zyrtar të londinezëve.

Edhe pse vitet kalojnë, mesfushori nuk e ka humbur klasin: “Teknika është diçka që e kam pasur dhe duket sikur rritet sa më shumë ikin vitet. Është nga ato gjëra që me të vërtetë nuk largohet, sepse është teknikë. Por fiziku bie me vitet për fat të keq. Kur ‘plakesh’ humbet shpejtësinë, humbet disa mprehtësi. Por teknika është diçka që mbetet dhe shpresoj ta ruaj për një kohë të gjatë”.

TALENTI I ÇELSIT – Hudson-Odoi është një nga lojtarët e talentuar të londinezëve dhe një koment për të e bën edhe Fabregas. “Ai ka gjithçka për të treguar vlerat e tij në futbollin botëror. I kam thënë që nëse nuk ia del të kapë majën do të zhgënjehem shumë, sepse ai është një prej atyre talenteve që e kupton që mund të jenë fantastikë”, shprehet spanjolli.

“Mund të bëhet futbollist i klasit botëror, thjesht duhet të qëndrojë me këmbë në tokë, të punojë sa më shumë. Ai është një djalë i përulur, ai me të vërtetë dëshiron të luajë futboll dhe shpresoj që shumë shpejt do e bëjë diçka të tillë”, përfundon Fabregas.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *