Çelsi i Mauricio Sarrit e nisi shumë mirë sezonin, por problemet e para janë shfaqur dhe si pasojë dhe kritikat. Trajneri italian po mësohet me futbollin anglez, aty ku konkurrenca është shumë e fortë.
“Blutë e Londrës” renditen në vendin e katërt me 44 pikë, ndërsa kampionati kryesohet nga Liverpuli i Klopit me 54 pikë. Për të rritur efikasitetin e ekipit të tij, Sarri po kërkon një emër të madh për repartin ofensiv. Alvaro Morata dhe Oliver Zhiru nuk japin shumë garanci në aspektin e golave, ndërsa nuk përjashtohet një largim i tyre nga ekipi.
Pasi kërkoi Higuain dhe u fol për një shkëmbim mes argjentinasit dhe Moratës, Çelsi ka hedhur sytë nga PSG. “Daily Express” zbulon objektivin e Sarrit dhe ai është Edinson Kavani. 31-vjeçari po bën mirë në kryeqytetin francez, por ai dëshiron të provojë një aventurë të re.
Napoli ëndërron ta rikthejë në “San Paolo”, ndërsa PSG nuk do ishte kundër shitjes së uruguaianit për të sistemuar bilancet dhe FPF (fair-play financiar). Një gjë e tillë do i siguronte PSG mbajtjen në ekip të dyshes Mbape-Nejmar.
Çelsi ka ofruar 50 milionë sterlina për kartonin e Kavanit, i cili është një nga sulmuesit më të mirë në botë. Ai premton gola dhe kualitet në repartin e sulmit, pikërisht ajo çfarë Sarri kërkon.