Andre Silva pa limite: Luftojmë për gjithçka, ja çfarë më pëlqen nga Spanja

Andre Silva la Milanin në verë për t’u huazuar te Sevilja. Sulmuesi është përshtatur në mënyrë shumë të mirë në Andaluzi, ka shënuar 8 gola në kampionat, ndërsa Sevilja renditet e treta në kampionat me 32 pikë, pesë më pak se Barcelona dhe dy më pak se Atletiko e Madridit.

Lufta për kampionat është e fortë, por 23-vjeçari nuk i vendos limite vetës. Ai ndihet mirë në Spanjë, tregon përshtatjen e lehtë me ekipin dhe nuk e zbulon të ardhmen e tij. Kartoni i tij zotërohet nga Milani, por Sevilja ka të drejtën e blerjes së tij.

Në prononcimin për “Marca”, portugezi tregon se çfarë i pëlqen më shumë nga kampionati spanjoll, zbulon bisedat me Ronaldon, flet për Europa Ligën dhe kundërshtarin e radhës, Lacion. Sintonia me Ben Jeder është fantastike, trajneri është komandanti i ekipit dhe në fund objektivat personale dhe të Seviljes për Andre Silvën.

SEVILJA – “Ndihem shumë mirë dhe jam shumë i lumtur që ndodhem këtu. Jam ndier mirë që nga dita e parë që erdha, sepse shokët e skuadrës më pritën shumë mirë. E ndjeva besimin e trajnerit përpara se të vija dhe kjo gjë më ka bërë shumë të lumtur.”

PËRSHTATJA – “Kur erdha fola me Karraçon, i cili është portugezi i vetëm që kam në ekip. Ai më ka ndihmuar shumë. Fola me Karraçon përpara se të vija dhe më tha se ndihej mirë këtu. Më tregoi se Sevilja ka luftuar gjithmonë për trofe, kampionati është i fortë dhe ka lojtarë shumë të fortë, kështu që ishte një opsion shumë i mirë për mua. Mendoj se besimi që më ka dhënë dhe po më jep trajneri dhe mënyra e lojës që bëjmë janë thelbësore që gjërat të shkojnë mirë.”

E ARDHMJA – “E vërteta është që të ardhmen nuk e dimë. Për momentin po luftoj për Seviljen dhe po bëj më të mirën për ekipin dhe veten. Jam shumë i lumtur këtu, por të ardhmes nuk i dihet.”

LA LIGA – “Më pëlqen kampionati, pasi të gjitha ekipet preferojnë të luajnë me topin. Ka raste kur luajmë me ekipe që ndodhen keq në renditje, por edhe ata dëshirojnë ta mbajnë topin dhe të luajnë me të. Të gjitha ekipet kanë lojtarë teknikë, të cilët luajnë mirë me topin. Ka dhe shumë kundërsulme dhe unë i adhuroj ato. Më pëlqen të mbaj topin dhe më pëlqen La Liga.”

CR7 – ‘Kam folur me Kristianon kur isha te Milani dhe ai ishte te Reali. Kemi folur bashkë dhe në kombëtare. Kur më doli rasti i Seviljes nuk fola me të, pasi gjithçka ndodhi shumë shpejt dhe nuk u takuam në kombëtare. Por, kemi folur më parë për kampionatin spanjoll.”

SEVILJA – “Po punojmë për t’i bërë gjërat në mënyrën më të mirë. Po përmirësohemi dhe po punojmë për ta bërë një gjë të tillë. Të shohim në fund se çfarë do të ndodhë, të gjithë lojtarët janë të përqendruar dhe duam të bëjmë gjëra të mëdha.”

TITULLI – “Barcelona dhe klubet e tjera kanë shumë kualitet dhe janë skuadra të mëdha. La Liga me Barcelonën, Realin dhe Atletikon është shumë e vështirë, por të gjithë luajmë futboll, luftojmë dhe nuk jemi rastësisht këtu. Kemi synime të mëdha dhe duam t’i realizojmë.”

GOLAT – ‘Nuk i vendos limite vetës. Po jap më të mirën time, nuk e kam mendjen te goli, por te fitorja e ekipit. Dua të bëj më të mirën për Seviljen dhe jam i lumtur për punën që po bëj.”

BEN JEDER – “Më kupton mirë dhe kur luaj topin, përfundon tek ai. Shihemi shpesh dhe merremi vesh mirë bashkë. Ai është një sulmues shumë i mirë dhe shpresoj të vazhdojmë kështu.”

STILI I LOJËS DHE TRAJNERI – “Më pëlqen shumë mënyra se si luajmë. Kemi shumë besim te trajneri ynë dhe ai te ne. Kemi treguar se bëjmë gjithçka që na kërkon. Ka një kimi shumë të mirë midis nesh.”

ANDRE SILVA – “Përpiqem që të jemi gjithmonë e më i kompletuar si futbollist. Nuk dua vetëm të qëndroj në zonë dhe të shënoj. Më pëlqen të jem pjesë e lojës së skuadrës dhe dua shumë që të luaj me topin me të gjithë shokët.”

EUROPA LIGË – “Kur jam në një garë dua gjithmonë të bëj më të mirën. Më pëlqen të fitoj dhe dua të fitoj, por ka shumë punë për të siguruar Europa Ligën e gjashtë për Seviljen. Lacio? Janë një kundërshtar shumë i vështirë. Kam luajtur kundër tyre kur isha në Itali dhe janë shumë të fortë. Të fortë jemi dhe ne dhe duam të tregojmë se jemi më të mirë se ata.”

OBJEKTIVAT – “Dua të bëj më të mirën time për të gjithë. Dua që në fund të sezonit të kem bërë një punë të mirë. Dua që të gjithë njerëzit që më mbështesin ta ndjejnë se kam punuar mirë. Si skuadër, dua që të bëjmë mirë në të gjitha kompeticionet dhe të dalim në vend të parë gjithkund, pavarësisht se është shumë e vështirë.’

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *