Matijs De Ligt është kthyer në objektivin kryesor të klubeve më të mëdha në Europë. Qendërmbrojtësi holandez i Ajaksit është nga të rinjtë më premtues dhe shihet si një investim me vlerë për të ardhmen. Por në Holandë duan të përfitojnë sa më shumë dhe Barcelona duket se është lodhur nga kjo dhe po tërhiqet gradualisht.
Mediat në Spanjë, konkretisht “AS” dhe “El Mundo Deportivo”, raportojnë se në kampin katalanas janë të bindur se De Ligt do të zgjedhë mes Bajernit të Mynihut dhe Juventusit. 19-vjeçari përfaqësohet nga një menaxher si Mino Raiola, i cili ka në plan të pranojë ofertën më të lartë për klientin e tij.
Kështu Barcelona i ka humbur shpresat dhe nuk dëshiron të futet në një garë që do e rritë çmimin e De Ligt deri në vlerën e 70 milionë eurove. Mbrojtësi është edhe titullar te Holanda dhe vlerat e tij po i tregon nga java në javë dhe me shumë mundësi Ajaksi nuk do t’i rezistojë dot ofertave për ta shitur.