Xherdan Shaqiri është mësuar të luajë në nivele të larta, pasi në të shkuarën ka dalë kampion në Gjermani, por në të njëjtën kohë edhe ka ngritur lart edhe trofeun e Champions League-s. Sigurisht që janë suksese madhështore për një futbollist, megjithatë ka edhe lavdi personale, si ato dy gola që e kanë ngritur në qiell anësorin nga Gjilani.
27-vjeçari i realizoi dy herë Manccester Juanjtid, ndonëse hyri në fushë si zëvendësues. Shaqiri ka folur në mediat angleze, ku ka komentuar për situatën pas atyre dy golave fantastik, që sipas tij dot jenë pjesë e historisë për të.
Anësori nuk nguron që të flasë edhe për Kosovën, duke përmendur flamujt që mban në këpucë, madje shkon deri aty sa tregon edhe domethënien, apo dhe dedikimi për golat e shënuar ndaj “djajve të kuq”. Një rrëfim interesant, pasi tani duket se ka ndryshuar mendimi i të gjithëve për shqiptarin, i cili luan për Zvicrën.
POST NDESHJA – “Pati një impakt të madh. Mund ta shoh te njerëzit që punojnë këtu. Kishim mbrëmjen për festat e fundvitit dhe çdokush vinte të më falënderonte. U surprizova shumë. Të gjithë po këndonin më pas: “Faleminderit, faleminderit, faleminderit, je një legjendë tashmë!” Ishte bukur ta dëgjoja një gjë të tillë, por unë jam një njeri që mundohem të shoh përpara. Kemi një ndeshje për të luajtur të premten dhe na duhet të marrim tre pikët”.
SHKARKIMI I MURINJOS – “Mora shumë mesazhe nga miqtë e mi pas ndeshjes. Gjithashtu pas shkarkimit të Murinjos mora shumë mesazhe përsëri, pasi të gjithë më shkruanin: ‘Kjo është për fajin tënd!’, por ky është futbolli. Nuk mendoj se Junajtid e shkarkoi trajnerin vetëm për humbjen që pësoi ndaj nesh. Gjithsesi, ajo ndeshje do të mbetet gjithmonë në historinë time”.
ECURIA – “Jam shumë i lumtur që ndihmova ekipin për fitoren. Kjo është gjëja më e rëndësishme dhe jam i kënaqur që pata një impakt të tillë në ndeshje. E dija më përpara që rivaliteti mes dy ekipeve ishte shumë i madh, por të shënoje dy gola ishte diçka fantastike. Nuk do e harroj kurrë. Ishte një ditë speciale, jo vetëm për mua, por edhe për klubin, pasi u rikthyem në krye dhe kjo është gjithnjë diçka që të bën të ndihesh mirë”.
LIVERPULI – “Kjo skuadër dhe trajneri më kanë dhënë gjithçka. Mund të shihet dhe në fushë se sa i lumtur ndihem këtu dhe ndoshta po luaj futbollin tim më të mirë. Jam një lojtar që gjithmonë dua të përmirësohem dhe kjo ka qenë lëvizja perfekte për mua. Jam i kënaqur se si po më ecën”.
LIDHJA ME KOSOVËN – “Mund ta kuptoni historinë time në takat e mia, pasi kam flamujt. Shumë njerëz e kanë keqkuptuar këtë. Kam lindur në Kosovë dhe jam rritur në Zvicër. Disa njerëz mendojnë se unë nuk po jap gjithçka për Zvicrën sepse kam flamurin e Kosovës në një këmbë, por kjo është krejtësisht e gabuar. Kjo është pjesë e madhe e historisë sime të jetës dhe gjithmonë do të jetë me mua. Flamuri zviceran është në këmbën time të majtë sepse unë shënoj me këtë këmbë. Në sfidën ndaj Junajtid shënova dy gola, nga një me secilën këmbë, kështu që ishte nga një gol për të dyja”.
LËNIA JASHTË PËR SFIDËN NDAJ CERVENËS – “E kuptova vendimin e trajnerit. Ai kërkonte përqendrim në atë ndeshje, kjo ishte arsyeja e vetme dhe ishte një vendim i drejtë, sepse vëmendja ishte më e madhe te unë se sa te ndeshja që do të luhej”.
OBJEKTIVAT – “E di se si është të ngresh trofe të rëndësishëm. Është e mrekullueshme të festosh me tifozët dhe është ëndrra ime të bëj një gjë të tillë përsëri me këtë klub. Ky është objektivi ynë. Kemi treguar se mund të jemi të duruar. Jemi në rrugë të mirë. Jemi të fortë, si në mbrojtje ashtu edhe në sulm dhe kemi balancë të mirë në ekip. Kjo është shumë e rëndësishme për fitimin e titujve”.