Bushiç: Sulmi? Me emra jemi mirë për… Superioren

Tomislav Bushiç është i qartë: Flamurtarit i mjafton të fitojë, rezultatet nuk kanë aspak rëndësi. Kroati i sulmit vlonjate doli sot para mediave dhe foli për ndeshjen e radhës me Kamzën. “Normal mendojmë vetëm për të marrë tre pikët nesër. Pastaj kemi edhe një ndeshje, por tani mendojmë vetëm të mundim Kamzën”, tha fillimisht Bushiç.

Më tej ai foli edhe për repartin e sulmit në veçanti, por edhe për faktin se po merren fitore me rezultat minimal. “Sulmi është mirë, me emra mirë. Nesër do shikohet. Sulmi është shumë i mirë për kampionatin shqiptar. Të fitosh 1-0, apo 4-0 është njëlloj. Vlen tre pikë. Unë mendoj të shënoj çdo ndeshje, por kur fiton ekipi është njësoj për mua. Nuk është aspak problem se me çfarë rezultati fitojmë”, deklaroi kroati.

Krah Bushiç ishte edhe mbrojtësi Goran Siljanovski. Në lidhje me takimin e radhës, ai u shpreh: “Pavarësisht se Kamza është poshtë në renditje, ne duhet të luajmë si kundër Laçit dhe të jemi të motivuar maksimalisht. Jemi ekip me mentalitet fituesi dhe duhet ta provojmë në këtë ndeshje këtë”.

Vazhdimësia është e rëndësishme. Pas fitores me Laçin, tani kërkohet e dyta rresht dhe për Siljanovksin është momentin i duhur. “Është shumë e rëndësishme për ne të marrim fitoren e dytë radhazi. Jemi stërvitur mirë dhe mendoj se është koha. Duhet të japim gjithmonë më të mirën dhe i takon trajnerit që të vendosë se kush është më në formë për të luajtur”, përfundoi maqedonasi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *