Danilo Alvesh gjithnjë vendimtar, Flamurtari thyen edhe “tersin” Laçi

Flamurtari rikthehet te fitorja, duke mundur Laçin në shtëpi me rezultatin 1-0. Vendos një gol i Danilo Alvesh në fundin e pjesës së parë, që ka vlerën e 3 pikëve. Nuk arrin dot Laçi të afrohet me katër skuadrat e kreut, duke regjistruar ndeshjen e dytë radhazi pa fitore, ndërkohë që Flamurtari thyen një tjetër tabu pas Kukësit, sepse kundër Laçit nuk fitonte prej dy vitesh, 7 takime pa sukses. Kuqezinjtë treguan një fytyrë krejt tjetër nga një javë më parë ndaj Kastriotit, duke krijuar volum loje që në minutat e para. Pretendime nga vendasit pa u mbushur 10 minuta lojë. Mersinaj ndal në mënyrë të parregullt Bushiç, por gjyqtari i ardhur nga Malta, Glen Tonna, gjykon se loja duhet të vijojë. Nuk e ulin ritmin vlonjatët, por pa mundur që të krijonin ndonjë situatë të rrezikshme në portën e Selmanit. Edhe kurbinasit provuan në disa raste që të dilnin përpara, por nuk kishin saktësinë e duhur, për të vënë në provë Koliçin. Kur u duk se skuadrat po pajtoheshin me barazimin në 45 minuta e para, mendoi Danilo Alvesh për të ngritur disi temperaturën në stadiumin e Vlorës. Braziliani tentoi nga një distancë e konsiderueshme, topi u devijua, mjaftueshëm për ta çuar në rrjetë, por dhe për ta bërë topin të paarritshëm për Selmanin, i cili u mundua që të devijonte. Danilo Alves shënon golin e katërt në 4 ndeshjet e fundit që ka luajtur për Flamurtarin, duke qenë vendimtar si pakkush në Superiore, ndërsa javët e fundit mungesa e tij ishte ndjerë së tepërmi. Edhe në pjesën e dytë u duk se kishte një marsh më shumë Flamurtari, që në pak minuta rrezikoi dy herë portën e miqve, fillimisht me Kalen, dhe më pas me Alveshin, i cili goditi traversën. U zgjuan bardhezinjtë, të cilët nisinë që të ishin më kërkues dhe të fitonin metra. Shtubina fillimisht shpërdori një mundësi të mirë për shënim, por Koliçi e grushtoi goditjen e shkodranit. Pak sekonda para fundit ishte Altiparmakovski, i futur pak minuta më parë, i cili u ndal nga ”gardiani” vlonjat, por me Koliçin që këtë herë që u ndihmua dhe nga shtylla. Në fund, Flamurtari merr një fitore që e çon në kuotën e 25 pikëve, një më pak se Laçi.

KATEGORIA SUPERIORE – JAVA 16 E diel, më 9 dhjetor, ora 17:00 Stadiumi “Flamurtari”, Vlorë

FLAMURTARI 1-0 LAÇI Shënues: Alvesh 43′

Flamurtari: Koliçi, Siljanovski, Alla, Veliu, Kotobelli, Pollozhani (Hyseni 55′), Mustafa, Rrapaj (Musta 73′), Alvesh, Kale (Ymeraj 81′), Bushiç. Trajner: Ilir Daja. Të gatshëm: Qirko, Qarri, Ribaj, Beqaj.

Laçi: Selmani, Fangaj, Toro, Mersinaj, Sefgjini (Altiparmakovski 77′), Gjoni, Jonuzi, Lushkja, Berisha (Deliu 46′), Shtubina, Xhixha. Trajner: Migen Memelli.  Të gatshëm: Hasanbelli, Bushi, Dragoj, Pjeshka, Smaçi.

Kartonë të verdhë:  Bushiç 18′, Alvesh 44′, Mustafa 56′, Hyseni  70′ / Mersinaj 15′,  Shtubina 36′, Berisha 44′, Deliu 79′, Xhixha 88′

Gjyqtarë: Glen Tonna, William Debattista, Paul Toledo, Ishmael Barbara Delegat: Petrit Brahja; Vëzhgues: Albano Janku

DIREKT 90′ – Altiparmakovski devijon një pasim që i vjen nga e majta, por Koliçi bëhet hero, i ndihmuar dhe nga shtylla, “gardiani” e kalon dhe këtë moment të vështirë.
  55′ – E pabesueshme çfarë humbet Alvesh, i cili me një lëvizje akrobatike tenton godet bukur, por vetëm traversa e ndal nga shënimi i golit të dytë.
54’ – Kale bëhet i papërmbajtshëm nga e majta, duke kaluar dhe Selmanin, por braziliani shkon shumë pranë fundores, duke e pasur të pamundur që të shënojë golin e dytë për vlonjatët.
43′ – Alvesh godet nga distanca, topi devijohet dhe bëhet i paarritshëm nga portieri Selmani.
27’ – Kale provon të krijojë një situatë të rrezikshëm nga e djathta, braziliani gjen hapësirë dhe kroson brenda zone, por Bushiç nuk arrin dot të godasë, pasi topi ishte tepër i fortë. 21’ – Pas harkimit nga e majta Koliçi nuk arrin ta kontrollojë dot topin siç duhet, por asnjë nga lojtarët kurbinas nuk arrin dot ta shfrytëzoj këtë moment. 7’ – Pas një harkimi nga e djathta, Bushiç pretendon për një tërheqje nga ana e një prej mbrojtësve të Laçit. Asgjë për gjyqtarin maltez, ndonëse duket një moment mjaft i diskutueshëm.
1′ – NIS NDESHJA! 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *