Teuta është gati për ndeshjen e së shtunës kundër Luftëtarit. Për këtë takim i gatshëm për trajnerin Bledi Shkëmbi do të jetë edhe sulmuesi Latif Amadu. Ganezi u dëmtua në ndeshjen me Kukësin dhe tashmë ndihet më mirë.
“Ndihem mirë, kur ndodhi patëm frikë. Doktorët më thanë se duheshin 18 ditë. Po bëhem gati për ndeshjen me Luftëtarin”, thotë fillimisht për “Supersport” Latif Amadu. Më tej ai lëshon edhe një batutë: “Për ne, siç janë gjëra tani, kemi besim se edhe me Realin po të përballeshim, nuk do e kishin të lehtë. Ne jemi luftëtarët e Superiores për momentin”, shtoi sulmuesi.
Latif nuk ndalet me kaq, teksa mendon se Teuta është për titull. “E kam thënë që në fillim, e shikoj këtë skuadër si kampione. Mendoj se Teuta do të bëjë surprizën në Shqipëri”, shprehet ganezi i durrsakëve, që nuk ka ndonjë shifër golash si objektiv.
“Golat? Ju e dini, përpiqesh gjithmonë të bësh më të mirë dhe me ndihmën e kolegëve qielli është limiti”, tha në mbyllje Latif, i cili deri më tani me fanellën e Teutës e ka gjetur rrugën e rrjetës tetë herë në kampionat. Gjysmën e këtyre golave ai i ka shënuar me penallti.