Mërgim Mavraj ishte një ndër personazhet kryesore të ndeshjes që Shqipëria humbi ndaj Skocisë, por për fat të keq ishte personazh negativ.
Kapiteni i kombëtares sonë mori karton të kuq pa mbërritur mesi i pjesës së parë, për shkak se humbi qetësinë pas një përplasje me një kundërshtar. Fillimisht një faull i rrezikshëm, duke merituar kartonin e verdhë, por më pas edhe një debat me një skocez, duke e tepruar, me një zgjatje koke që krijoi idenë e goditjes, edhe pse realisht kontakt nuk pati ose ishte minimal.
Nervozizëm i tepruar dhe i pajustifikuar, që nuk na ndodh për herë të parë, sepse edhe Etrit Berisha bëri të njëjtën gjë ndaj Izraelit në Elbasan, ku sërish u dërrmuam.
Nëse pas kartonit të kuq Mavraj protestoi gjatë dhe u largua me një buzëqeshje ironike ndaj rivalit skocez që u rrëzua për ta nxjerrë me karton të kuq, një ditë më pas kapiteni kërkon falje publike, duke qenë më i qetë në analizën e asaj që ka ndodhur.
“E ndjej të kërkoj publikisht falje për atë moment dobësie. Të gjithë gabojmë dhe këtë herë më ndodhi mua. Për Kombëtaren kam luajtur edhe i dëmtuar, edhe kur im atë luftonte për jetën, ndaj ajo që ju kërkoj është që të më kritikoni, sigurisht, por jo të vini në diskutim dashurinë për këtë fanellë që do ta mbroja edhe me gjak. Shohim përpara, me bindjen se Shqipëria do të kthejë kapitull. Të gjithë bashkë mund t’ia dalim; nëse jemi të ndarë, atëherë kushdo mund të na mposhtë. Me respekt, Mërgim Mavraj”, shkruan mbrojtësi kuqezi në faqen e vet në Instagram.
https://www.instagram.com/p/BqU8TkZhK3o/?utm_source=ig_web_copy_link