Tonali ka një çmim fillestar, Çelino zbulon kushtin e transferimit

Sandro Tonali është një nga të rinjtë që ka marrë vëmendjen e klubeve kryesore në Serinë A. Interi, Juventusi, Napoli dhe Milani janë vënë pas 18-vjeçarit të Breshias. Ende nuk ka një çmim për të, por gjithçka nis me 20 milionë euro.

mesfushori, i cili së fundmi është ftuar edhe nga Roberto Mançini në kombëtare, njihet si një milanist, por favoritë shihen tre klubet e tjera për ta blerë atë. Gjithsesi, presidenti i Breshias, Masimo Çelino, ka theksuar se shitja e mesfushorit nuk është një çështje parash.

Në një intervistë që ka dhënë për “Tuttosport”, ai ka theksuar se do t’ia shesë klubit që e do më së shumti dhe beson te Tonali. Për këtë ai kujton edhe transferimin e Naingolan, të cilin Çelino ia shiti Romës kur ishte president i Kaljarit.

“Nuk është një çështje parash, unë do isha i gatshëm për ta mbajtur atë përgjithmonë. E mbani mend çfarë ndodhi me Naingonalin te Kaljari? Juventusi ofroi më shumë, por e shita te Roma që besoi më shumë tek ai. Kështu që do ia jap ekipit që e do më shumë”, është shprehur numri një i klubit të Breshias.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *