Asnjë dramë, Lika: Nuk ishte Vllaznia e zakonshme

Vllaznia u mposht në ndeshjen e fundit të fazës së parë. Iliria arriti që në shtëpi të fitojë, por gjithsesi kuqeblutë shohin përpara. Trajneri Hasan Lika, pas ndeshjes ka folur për mediat dhe ka analizuar përballjen e humbur në Fushë-Krujë.

“Humbja erdhi prej lojës më të mirë të kundërshtarit dhe prej presionit që ushtroi. Sigurisht kemi qenë më mirë në pjesën e dytë, ishim gjithë kohën në kontroll të lojës. Por në një kundërsulm u treguam të pakujdesshëm dhe përfitoi kundërshtari. Gjithsesi prisnim të zhvillonim një ndeshje më të mirë, edhe si individë, edhe si kolektiv. Nuk kemi arritur të shfrytëzojmë momentet tona në aspektin sulmues. Momentet e fundit edhe një barazim mund ta merrnim”, u shpreh fillimisht Lika.

Më tej ai shtoi: “Nuk prisnim të humbnim. Ne luajmë çdo ndeshje për ta fituar. Patëm vështirësi, kundërshtari u mbrojt mirë dhe na rrezikonte me kundërsulme. Golin me një formë të tillë na e shënoi. Nuk shënuam për meritë të kundërshtarit dhe të portierit”.

Lika e pranoi se nuk patën një ditë të mirë në fazën sulmuese, ndaj edhe nuk arritën të shënonin. “Sulmi nuk ishte në ditën më të mirë. Mund të bënin më mirë Hajdari, Lika dhe Silvio (Zogaj), kështu që nuk arritëm të bënim ato që kemi bërë zakonisht: të ishim të rrezikshëm në fazën sulmuese. Si pasojë e kësaj nuk shënuam”.

Në fund, trajneri i Vllaznisë kërkon që të mos bëhet dramë: “Kemi zhvilluar një fazë në ngritje dhe kjo nuk është një ndeshje që na ndikon negativisht. Duhet të jemi të kujdesshëm për ta menaxhuar siç duhet në vazhdim”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *