Sonte në mbrëmje zhvillohet raundi i parë i finales së madhe të Kupës Libertadores, Boka Zhuniors-River Plejt. Ndeshja nis në orën 21:00 dhe do të luhet në “La Bombonera”, fortesën e Bokës. Asnjë tifoz kundërshtar, kështu që në stadium do të ketë vetëm tifozë të Bokës.
Atmosfera në kryeqytetin argjentinas është në kulm dhe të gjithë mezi presin nisjen e betejës shekullore. Fatlumët do e shohin në stadium, ndërsa të tjerët nëpër sheshe, lokale, shtëpi dhe gjithkund ku të jetë e mundur.
Një nismë unike është marrë për dy sfidat spektakolare nga “Radio Colonia” dhe Shoqata Argjentinase e Kardiologjisë. Për të gjithë tifozët që kanë probleme zemre, apo çekuilibrim emocionesh është gjetur zgjidhja. Muzikë me Moxart në sfond dhe një komentim totalisht i qetë i klasikes së famshme.
Finalja do të komentohet në radio nga dy radiokronistë të qetë dhe pa zhurmë akute, ndërsa në sfond do të shoqërojë Moxarti i talentuar për të krijuar një atmosferë relaksi.
Fazat më të nxehta të ndeshjes do të transmetohen nga Gonzalo Diaz Balbo, një kardiolog i vërtetë. Dikush mund të mendojë se kjo gjë është ekzagjerim, ose një mashtrim marketingu. Si mund të shijohet një përballje aq e nxehtë në qetësi absolute?
Në Argjentinë e dinë mirë rëndësinë e kësaj sfidë, çfarë kënaqësie provojnë fituesit dhe çfarë dhimbje e zhgënjimi provojnë humbësit. Tifozllëku në vendet amerikano-latine është një gjë tjetër dhe në Argjentinë duan të shmangin episodet e “Marakanazos” së famshëm, kur Brazili humbi finalen e Kupës së Botës përballë Uruguait në vitin 1950. Pasojat? 34 vetëvrasje dhe 56 të vdekur si pasoje e atakëve kardiakë në gjithë Brazilin.
Në Argjentinë duan ta shmangin një gjë të tillë, edhe pse do të jetë e çuditshme të dëgjosh në radio shënimin e një goli me Moxartin në sfond…