Mançester Junajtid do të ndeshet të dielën ndaj Mançester Sitit në një ndeshje që konsiderohet me plot të drejtë si më e vështira e sezonit për “djajtë e kuq”. Tekniku portugez Zhoze Murinjo është shprehur i kënaqur me fitoren ndaj Juventusit, por mbrojtja mbetet ende një shqetësim konstant për të dhe tifozët e skuadrës angleze.
“Nëse vazhdojmë të pësojmë gola para se të krijojmë raste, atëherë do vijë një ditë ku nuk do mund të përmbysim rezultatet. Duhet të përmirësohemi përsa i përket mënyrës se si futemi në një ndeshje futbolli. Nuk mund t’i fillojmë më ndeshjet kështu”, tha Murinjo në daljen për shtyp që i paraprin derbit të Mançesterit.
Në të shkuarën skuadrat nën drejtimin e Zhoze Murinjos shquheshin për mbrojtjen e “hekurt”, por këtë vit te Mançesteri po ndodh krejt e kundërta. Në gjashtë ndeshjet e fundit “djajtë e kuq”, nuk kanë mundur ta mbarojnë një 90-minutësh me rrjetën e tyre të paprekur, duke pësuar tetë gola.