Karlo Ançeloti u rikthye në Itali pas nëntë vitesh, pasi shëtiti nëpër Europë, duke fituar me Çelsin, PSG, Bajernin dhe duke rikthyer në Madrid Champions-in e dhjetë për Realin, për t’i hapur rrugë tre trofeve të tjerë rresht në kampin madrilien.
Trajneri zgjodhi Napolin, një befasi pozitive për shumë tifozë, dhe dora e tij dallohet lehtësisht. Ekipi renditet i dyti ne kampionat, bashkë me Interin, gjashtë pikë poshtë një Juventusi shumë të fortë dhe i pari në një grup “ferri” në Champions, bashkë me Liverpulin dhe PSG.
Ançeloti komenton për “DAZN”, raportet me lojtarët dhe presidentin Aurelio De Laurentis, si dhe shkakun kryesor të rikthimit në vendin e tij. Në fund dhe një kompliment për ish-trajnerin Sarri, i cili ka hedhur bazat e këtij Napoli spektakolar.
LOJTARËT – “Me Mertens nuk ka qenë e thjeshtë, pasi nuk ka luajtur nga fillimi, por janë gjëra normale. Hamshik? Isha në dijeni të ofertës që kishte, kështu që i shpjegova se ishte një lojtar i rëndësishëm për mua dhe se do të më bëhej qejfi nëse qëndronte. Ia bëra të qartë se do t’i ndryshoja rol dhe ndoshta kjo ishte ajo që e bëri të qëndronte, sepse dëshironte të provonte diçka të re.”
RIKTHIMI NË ITALI – “Mundësia për t’u rikthyer të flas italisht ishte një ndër gjërat, që më bindi më shumë të pranoj ofertën e Napolit. Në aspektin teknik, të komunikosh në anglisht nuk shkakton asnjë problem, por në aspektin emocional dhe psikologjik të flasësh gjuhën tënde është një tjetër gjë. Në Napolin e sotëm ndërkombëtar, italishtja është gjuha zyrtare që flitet.”
SARRI – “Jo vetëm që terreni ishte punuar mirë, por kishte edhe një bar të shkëlqyer: Puna e Sarrit ka qenë e rëndësisë së jashtëzakonshme.”
PRESIDENTI – “Unë dhe De Laurentis komunikonim prej vitesh. Folëm kur tentova pa sukses të merrja Kavanin te PSG, ndërsa këtë verë i kaluam pushimet së bashku. Ai është lloji i presidentit, i cili është bërë pasionant me kalimin e kohës: tani ndjek gjithçka, informohet për gjithçka, por di të ndajë detyrat. Aurelio është një person i sinqertë, shumë i sinqertë dhe shumë i këndshëm.”