Gjykimi, Kale dhe sekretet e Flamurtarit: zbërthehet Ilir Daja

Flamurtari fitoi kundër Kukësit dhe gjendja në aspektin psikologjik te vlonjatët është e mirë. Para ndeshjes me Luftëtarin, trajneri Ilir Daja ka dalë para mediave dhe ka folur për takimin e radhës dhe situatën në skuadrën e tij.

“Vijmë me një gjende psiko-fizike të mirë, por do theksoja se këto ditë jemi munduar të mbajmë skuadrën me këmbë në tokë. Nëse këto javë kemi bërë mirë, arsyeja qëndron te motivimi maksimal dhe bashkëpunimi mes lojtarëve për të arritur te rezultatet pozitive. Do të kërkojmë fitoren edhe ndaj Luftëtarit, duke e vlerësuar si duhet, sepse luan futboll mirë dhe renditja nuk ka vlerë. Është një kampionat ku diferencat janë shumë të vogla”.

MUNGESAT – “Kemi në pikëpyetje vetëm Pollozhanin, sepse ka pësuar një dëmtim në gju ndaj Kukësit, edhe pse është një dëmtim jo serioz. Ka punuar në mënyrë të diferencuar deri të hënën, të shohim. Pjesa tjetër e skuadrës është në dispozicion”.

SFIDA ME MEZANIN – “Për mua Mezani nuk është thjesht trajner vlonjat, por është trajner i mirë i futbollit shqiptar dhe e ka treguar me vepra. Do ta kem në konsideratë si koleg, duke e vlerësuar në maksimum. Flamurtari hyn në çdo ndeshje për të marrë trepikëshin. Shpresoj te një mbështetje e madhe e tifozerisë sonë|.

SHTYRJA E LAÇI-SKËNDERBEU – “E mendoja një blof mediatik dhe nuk është shtyrë. Më mirë, sepse kjo i shërben garës dhe duhet të ndihemi të barabartë”.

ELTON KALE – “Mungesë e rëndësishme, e konsideronim një nga sulmuesit që do i jepte ekipit një manovër tjetër në fazën sulmuese. Tani nuk e kemi, po punojmë me drejtuesit për një zgjidhje sa më të mirë, sepse do të jetë një blerje e re kur të luajë. Nuk është asgjë në dorën tonë, edhe pse po këmbëngulim që Kale të aktivizohet me lejen e federatës, në pritje të zgjidhjes nga FIFA”.

GJYKIMI – “Nën drejtimin tim i kemi ndarë pjesën e arbitrimit dhe pjesën e gabimeve tona. Nuk duhet të gjejmë alibi tek arbitri, kur gabojmë edhe vetë dhe luajmë keq. Nuk kemi thënë ndonjëherë që arbitri na ka mohuar rezultatin, por jemi ankuar vetëm për të lejuar një ritëm më të mirë loje dhe një menaxhim më të mirë të kartonëve dhënë ndaj nesh. Në analizën e së hënës më binte në sy fakti që Luftëtari është ekipi me më shumë kartonë, kur dihet që Luftëtari në fushë dallohet për Fair-Play”.

FUSHA DHE TIFOZËT –  “Besoj se gjendja e fushës është optimale, është investuar për ta kthyer në gjendje shumë të mirë dhe do të luhet futboll i bukur. Tifozët? Na duhet mbështetja e tyre, por sidomos kur nuk jemi mirë. Kemi akoma më shumë nevojë për tifozët kur kemi momente jo të mira”.

DEKLARATA E KOTOBELLIT – Për ndeshjen me Luftëtarin ka folur edhe mbrojtësi i majtë Blerim Kotobelli: “Ndeshje shumë e vështirë, por do futemi në fushë vetëm për fitore. Luftëtari ka ekip të mirë, pikën e vet më të fortë ka kundërsulmin, por është një 90-minutësh që duhet ta fitojmë”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *