Zllatan Ibrahimoviç kaloi në vitin 2016 nga Parisi në Mançester, për të luajtur për Junajtid. Një kalim që nuk u mirëprit, sidomos nga analistët, të cilët mosha e suedezit i dukej shumë e madhe për të luajtur në Premier Ligë dhe në një ekip si Mançester Junajtid.
Gjithsesi, sulmuesi 37-vjeçar tashmë, shfaqi një formë fantastike në “Old Traford”, ku në sezonin e tij të parë shënoi 17 gola në 27 takime. Lidhur me kohën e tij në Premier Ligë, gjiganti suedez ka folur për mediat, ku ka shpërthyer kundër futbollit anglez dhe është shprehur se Premier Liga është e mbivlerësuar.
“Jam shumë i lumtur dhe krenar që zgjodha Mançester Junajtid në atë kohë. Ishte klubi i duhur dhe ka një tifozeri fantastike. Kudo që shkoja shihja bluza të kuqe. Për kalimin tim në Angli, të gjithë duhet të ndihen me fat që nuk shkova 10 vite më parë. Ajo çfarë dhashë në Premier Ligë, ishte në kohën kur isha 35 vjeç, imagjinoni çfarë do bëhej në rast se shkoja në moshën 25-vjeçare atje”.
“Unë vendosa të transferohesha në Angli dhe shumica më thanë që do të dal me karrige me rrota. Të gjithë njerëzit që më thoshin këtë gjë, i vura të gjithë në karrige me rrota me formën që shfaqa. Më thanë që nuk duhet të shkoja në Premier Ligë, sepse do të dështoja. Të gjithë këto më motivuan dhe më dhanë adrenalinë të bëhesha akoma më i mirë. Premier Liga është një kampionat i mbivlerësuar”, përfundoi fjalët e tij suedezi.