Janë mbyllur gjysma e sfidave që janë luajtur pasditen e sotme, të vlefshme për raundin e 1/16-ave të Kupës së Gjermanisë. E veçanta e këtyre ndeshjeve ka qenë fakti, se 3 nga 4 ndeshjet kanë përfunduar në barazim, duke shkuar në kohën shtesë. Borusia Dortmund, Verder Bremen, Shalke 04 dhe Nurenberg morën nga një biletë për në 1/8-at.
E vetmja sfidë që u mbyll që në kohën e rregullt, ishte ajo midis Verder Bremenit dhe Weiche-08, që përfundoi me fitoren e thellë të Bremenit, 1-5. Në këtë sfidë luajti dhe Milot Rashica, i cili u aktivizua nga stoli në minutën e 77-të.
MENTAL! ?#DFBPokal pic.twitter.com/QK1RgFxad2
— DW Sports (@dw_sports) October 31, 2018
Dortmundi mori një kualifikim me vuajtje ndaj Unionit të Berlinit, teksa arriti të siguronte kalimin më tej, vetëm më anë të një penalltie në minutën e 120-të. Ndeshja nisi e mirë për vendasit, të cilët e mbyllën pjesën e parë në avantazh 1-0, me golin e Pulisiç. Sebastian Polter u mundua të bëntë heroin për miqtë, ku shënoi në minutën e 63-të, golin e barazimit të përkohshëm. Filip shënoi përsëri për Dortmundin, përpara se Polter të shënontë golin e dytë personal vetëm 3 minuta përpara fundit.
Ekipet e mbyllën sfidën në barazim dhe u desh ndihma e kohës shtesë. Dortmundi e shtoi akoma më shumë presionin dhe arriti të merrte kualifikimin në minutën e 120-të me anë të Marko Rojs. Gjermani shënoi nga pika e bardhë e penalltisë dhe dërgoi të tijtë në 1/8-at.
?? #Reus! Wie wichtig! #BVBFCU 3??-2?? pic.twitter.com/Bevmw7qQiC
— Borussia Dortmund (@BVB) October 31, 2018
Ndërkohë dy sfidat e tjera të pasdites, pikërisht Këln-Shalke dhe Hansa Rostok-Nurenberg u mbyllën në barazim të plotë dhe vetëm goditjet e 11-metërshave mundën të përcaktonin ekipin që do të kalonte më tej. Këlnit i kushtoi shtrenjtë gabimi i bërë në serinë e shtatë të gjuajtjeve, ku ishte Dreksler ai që gaboi dhe Shalke arriti të kalonte më tej. Ndërkohë në Rostok, Nurenbergu arriti të kualifikohej, pasi u treguan më të saktë nga pika e bardhë, ndërkohë që Hansa gaboi dy herë.