Usain Bolt vazhdon provën me ekipin australian të Central Coast Mariners dhe nuk heq dorë nga qëllimi për t’u bërë një futbollist profesionist dhe ëndrra për të luajtur një ditë në “Old Trafford”. Legjenda e atletikës është një tifoz i Mançester Junajtid dhe nuk mund të mos komentonte sfidën e mbrëmjes midis ekipit të Murinjos dhe Juventusit.
“Një ditë ndodhesha në aeroport dhe po luante Junajtid. Më thirrën, sepse kishte filluar futja e njerëzve në avion, por unë dëshiroja me patjetër të shihja ndeshjen deri në fund. Ai fluturim u shty dhe u nis me vonesë… Idhulli im? Rud Van Nistelroi. Holandezi ishte arsyeja se pse u bëra tifoz i Junajtid. Ai shënoi dhe në 2-1 kundër Juventusit në vitin 2003.”
Ajo është ndeshja e fundit që dy ekipet kanë zhvilluar përballë njëri-tjetrit, por situata ndryshon 15 vite më vonë. Atëherë ishte Junajtid ekip më i fortë, ndërsa sot janë bardhezinjtë italianë. “Mendoj se do të jetë një ndeshje e madhe. Në skenën më të madhe përballen dy ekipe të mëdha, me histori të madhe dhe krenari. Juventus po marshon në Serie A, ndërsa rezultatet e Junajtid nuk kanë qenë shumë pozitive. Rezultati? Junajtid luan në shtëpi dhe ky është një avantazh i vogël. Nuk shoh shumë gola sonte, kështu që mendoj se mbaron 1-0 për Junajtid.”
Në teatrin e ëndrrave do të rikthehet Kristiano Ronaldo, i cili kaloi 6 sezone me Junajtid. Bolt ka një respekt të madh për të dhe do ishte i lumtur ta shihte një ditë përsëri me ngjyrat e Junajtid mbi supe. “Kam një respekt të madh për Ronaldon si futbollist dhe për atë që ka bërë në fushat e blerta. Për mua, Kristiano do të jetë gjithmonë i mirëpritur te Junajtid. Murinjo? Ka marrë shumë kritika në këtë fillim sezoni, por mendoj se një seri rezultatesh pozitive do i bënte të gjithë të heshtnin.”
Në fund, eksperienca në Australi me Mariners dhe lojtari që do zgjidhte për darkë midis Junajtid dhe Juventusit. “Jam zbavitur shumë me Mariners. Tani po diskutojmë për të ardhmen, por të shohim. Rud Van Nistelroi mbetet ishulli im dhe do ftoja atë për darkë, ndërsa nga Juventus do të zgjidhja Zinedin Zidan”, përfundon 8 herë kampioni olimpik xhamajkan.