Mançester Junajtid nuk po kalon një fillim sezoni të mirë dhe brenda pritshmërive, teksa e sheh veten në vendin e dhjetë në Premier Ligë, në kuotën e 14 pikëve. Një pjesë e madhe e fajit i është faturuar pikërisht numrit një të stolit të “djajve” Zhose Murinjos, i cili ka që në vitin 2016 në krye të Junajtid.
Pikërisht tekniku portugez në merkaton e verës kërkoi nga drejtuesit që të sillnin në “Old Traford” një qendërmbrojtës, por dëshira e trajnerit nuk u plotësua, teksa Junajtid nuk ishte dhe aq aktiv merkaton e fundit. Gjithsesi, 55-vjeçari duket se i ka bindur drejtuesit që në merkaton e ardhshme në Mançester të afrohet një mbrojtës dhe kërkimet nga ana e Murinjos tashmë kanë filluar.
Gjatë ndeshjeve të kombëtareve, trajneri portugez ishte në sfidën mes Malit të Zi dhe Serbisë, për të vëzhguar mbrojtësin serb të Fiorentinës, Milenkoviç, i cili vlerësohet nga ekipi vjollcë me një çmim të paktën 45 milionë euro. Ndërkohë, Murinjo duket se nuk ka në shënjestër vetëm serbin, pasi mediat angleze së fundmi raportojnë se tekniku luzitan kërkon mbrojtësin e Napolit, Kalidu Kulibali.
Mbrojtësi senegalez së fundmi rinovoi kontratën e tij me Napolin, por Junajtid mendohet se do të tentojë të hyjë në negociata me klubin italian për një afrim të mundshëm të afrikanit. Kulibali më parë është aktivizuar në Belgjikë me Genk, ku në vitin 2014 kaloi në Itali te Napoli, për shumën e 8 milionë eurove.