Silvio Berluskoni në fillim të këtij muaji zyrtarizoi blerjen 100% të klubit të Monzës dhe objektivi i tij është që ta ngjisë ekipin në elitën e futbollit italian. Monza është një klub, i cili militon në Serinë C të futbollit italian dhe momentalisht rezultatet e saj nuk kanë qenë ato që priten nga presidenca.
Pikërisht ditën e sotme, Monza zyrtarizoi trajnerin e ri që do të jetë në krye të skuadrës, pasi tekniku i mëparshëm u shkarkua pas sfidës së humbur pasditen e djeshme në shtëpi ndaj Teramos. Ekipi i Berluskonit ka zbritur në vendin e tetë dhe në pesë ndeshjet e fundit nuk ka arritur asnjë fitore.
Për të larguar krizën dhe për të përmbushur objektivat që Berluskoni kërkon, 82-vjeçari ka menduar të sjellë në krye të Monzës, një njohje të vjetër të tij. Pikërisht Kristian Broki, ish-lojtar dhe ish-trajner i Milan, është tekniku më i ri i klubit të Serisë C. Broki ka luajtur më shumë se 100 ndeshje me fanellën e Milanit, si dhe ka qenë trajner i kuqezinjve në shtatë ndeshjet e fundit të sezonit 2015-2016.