Ardian Mema do të zhvillojë ndeshjen e tij të parë në stolin e Tiranës. Bardheblutë do të përballen me Flamurtarin në Vlorë ditën e hënë, një kundërshtar që Mema e njeh shumë mirë. Deri para pak ditësh ai ishte pjesë e stafit të kuqezinjve, ndërsa tashmë do të rikthehet si kundërshtar. Në konferencën për shtyp, trajneri i Tiranës kërkon përqendrim të madh. Diferencat mes palëve janë të vogla dhe do të fitojë ai që gabon më pak.
Do të kishte preferuar të debutonte kundër Partizanit, ndërsa pranon ndërhyrjen e klubit në merkaton e janarit. Një gjë e tillë është larg, kështu që mendjen te Flamurtari. Ekipi kërkon kthesën, Mema fitoren dhe tifozët shpresojnë të shohin një Tiranë ndryshe dhe të fortë.
MUNGESAT NË SULM – “Kjo nuk është shenjë e mirë që kemi mungesa në sulm. Nga momenti që erdha grupi nuk është i plotë, na janë dëmtuar tre lojtarë. Kemi menduar me stafin për të modifikuar diçka për ta përballuar sa më mirë këtë ndeshje”.
NJOHJA E KUNDËRSHTARIT – “Fakti që kam qenë atje është pozitive për mua, pasi e njoh kundërshtarin. Gjithsesi çdo kundërshtar duhet të vlerësohet maksimalisht, sepse në të kundërt do kemi problemet që ka pasur Tirana. E kam folur edhe me lojtarët, duhet të jemi të përqendruar. Këto janë kundërshtarët. Ka shume pak diferenca dhe përqendrimi të bën ta fitosh ndeshjen”.
PSE DUHET TË FITOJË TIRANA DHE JO FLAMURTARI? – “Është pyetje subjektive. Kjo varet si do sillen lojtarët ne fushë. Në kampionatin tonë grimcat e bëjnë diferencat, madje edhe jashtë vendit. Do fitoje kush do të jetë më i përqendruar dhe kush do të luftojë më shumë. Nuk them dot kush do fitojë”.
SITUATA NË SKUADËR – “Kishim probleme me dëmtimet së pari. Së dyti ekipi nuk kishte filozofinë time të punës, por gjerat kane marrë drejtim. Kjo është një e thënë nga ana ime. Por është për t;u parë se si do të sillen lojtarët në fushë”.
KUNDËRSHTARI I DËSHIRUAR –“ Për shpirt do të doja Partizanin në ndeshjen e parë, sepse të paktën në këtë klub karakteri ka qenë pjesa kryesore. Lojtarët kanë ditur të sillen gjatë gjithë kohës, duke u shprehur me atë karakterin që e karakterizonte Tiranën. Këtë frymë jam munduar të fus te futbollistët. Ndeshjet si me Flamurtarin, Kamzën apo Partizanin, ne i konsiderojmë si ndeshje jave dhe do jetë e rëndësishme si do i përgatisim. Çdo ndeshje ka specifikat e veta dhe duhet t’i përgatitim ndeshjet sipas kundërshtarit”.
MOTIVIMI I SKUADRËS – “Statistika në derbi më ndihmon për punën time. Ndeshjet do i përgatitim sipas kundërshtarit që kemi. Një gjë që është në dëmin tonë është fakti që çdo ditë ka dalë formacioni se si do të luajmë. Kundërshtari nuk ka pasur asnjë informacion dhe kjo më ka detyruar t’i kërkoj presidentit të stërvitemi me dyer të mbyllura. Kjo është diçka jo e mirë, përveç faktit që kemi pasur mungesa. Jemi te limituar me lojtarët. Gjithsesi nuk duhet të dorëzohemi. Kemi bërë analiza me video. Motivimi? Është pjesë e punës time, është një nga sekretet. Nuk nxirret në media. Ata e dinë vetë, sikurse unë”.
KARAKTERI SPORTIV – “Të them të drejtën edhe kohët ndryshojnë. Çdo skuadër ka ndryshuar me kohën, por duhet me çdo kusht të fusësh frymën e grupit, duhet të tregosh historinë tënde si person, si ke vepruar dhe çafër kë bërë kur ke luajtur futboll . Por nuk kemi shumë kohë të tregojmë histori. Kemi pak kohë me njëri-tjetrin, do punojmë në vijim. jemi munduar të fusim këtë frymë tek ekipi”.
TRE NDESHJET JASHTË – “Tirana ka jo vetëm tre ndeshje jashtë, por ka shumë ndeshje jashtë. Pjesa dërrmuese e ndeshjeve janë të vështira. Kthehemi me Kukësin brenda, shkojmë në Gjirokastër dhe më pas luajmë me Skënderbeun dhe Partizanin. Prandaj e thashë që ndeshjet do i marrim një nga një. Duhet të stërvitemi dhe të përqendrohemi edhe me kundërshtarët edhe jashtë. Pikët jashtë janë po aq të rëndësishme sa në shtëpi. Tre pikë vlejnë me të gjitha”.
NISJA ME FITORE – “Do doja sinqerisht ta nisja me fitore. Por do ia lëmë fushës. Do bëjmë maksimumin të marrim një rezultat pozitiv, qoftë dhe barazim. Ekipi nuk duhet t’i kthehet historive se si humbet. Kjo javë ka qenë një javë e ngjeshur dhe për lojtarët. Kemi punuar me video, edhe kemi folur bashkarisht me lojtarët. Ata më kanë kuptuar”.
MERKATO – “Padyshim kemi nevojë për merkato, por ka kohë. Duhet doemos të bëhen ndryshime në ekip”.
HARMONIA – “Këto dy javë nuk kam parë asnjë shenjë negative. Lojtarët kanë qenë bashkëpunues dhe i falënderoj për këtë pjesë> Por u them të sillen ndryshe në fushë. Nuk kam parë këto shenja negative te lojtarët. Thjesht na duhet të sillemi mirë dhe të arrijmë rezultate pozitive. Kjo do të rritë frymën në ekip”.
NDRYSHIMI MES TIRANËS DHE FLAMURTARIT – “Të them të drejtën së pari Tirana ka infrastrukturë më të mirë se Flamurtarin. Ky është dallimi. Edhe atje kishte harmoni grupi, ishin pjesë ndihmuese e trajnerit. Shpesh fryhen pjesa e raportit lojtar-lojtar, lojtar-trajner. ka një konflikt të vogël dhe jashtë del ndryshe. Kjo nuk i shërben futbollit. Kur dalin jashtë, edhe njerëzit merren me thashetheme. Kam qenë edhe te Skënderbeu dhe harmonia edhe atje ka qenë e mirë”.