Mërgjyshi: Nuk duhet bërë dramë, jemi aty ku duhet!

Trajneri i Laçit, Artan Mërgjyshi, ishte i zhgënjyer pas humbjes me Teutën. Numri një i stolit kurbinas komentoi dhe kartonin e kuq të Xhixhës, pas ndeshjes në emisionin “Gol pas Goli” në “Supersport”, teksa e pranoi se ishte një gabim i lojtarit të tij.

Kartoni i kuq – “Ishte një nga arsyet e humbjes. E nisëm lojën keq, pasi ishim me 10 lojtarë. U goditëm psikologjikisht, edhe pse provuam që të reagonim. Ai karton na goditi shumë dhe na shkuan gjërat keq, pasi pësuam nga një moment shpërqendrimi. Skuadra tentoi të reagonte, krijuam aksione, por nuk i shfrytëzuam dhe më pas u ndëshkuam sërish. Më vjen keq se në pjesën e dytë nuk kishim energji për të ndryshuar diçka, edhe pse provova të ndryshoj diçka me zëvendësimet.”

Humbja e parë – “Unë mendoj se nuk duhet ta bëjmë dramë këtë humbje, pasi gjërat nuk shkuan në favorin tonë. Episodet i kishim kundra dhe i tillë është futbolli. Ne kemi forca dhe energji. Na ndikoi dhe dëmtimi i Toros, pasi nuk ka qenë në gjendje optimale. Edhe Lushkja nuk ishte në momentin e tij më të mirë. Ne kemi forca dhe duhet të dalim sa më parë nga kjo gjendje. Kemi marrë pikët deri më tani dhe them se jemi aty ku duhet të ishim.”

Arbitri – “Nuk do të merrem me gjykimin. Ishte një faull që është në limitet e kartonit, por ishim në fillim të ndeshjes. Është një barazim i lojtarit tonë që kërkon topin. Mund ta kalonte dhe me një të verdhë këtë rast.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *