Zhoze Murinjo ndodhet në një situatë të vështirë te Mançester Junajtid dhe ka nevojë për mbështetjen e të gjithëve. Një gjë të tillë e ka bërë Zllatan Ibrahimoviç, i cili ka punuar me trajnerin portugez tek Inter dhe Mançester Junajtid. Në një prononcim për “BetHard”, sulmuesi suedez beson te Murinjo dhe mendon se trajneri është në gjendje për të fituar me këtë ekip.
“Murinjo është special, sepse, para së gjithash, është një fitues. Ka këtë mentalitet fitues dhe bën gjithçka për të arritur rezultatin që dëshiron. E njeh futbollin, e lexon shumë mirë ndeshjen dhe menaxhon mendjet e lojtarëve të tij. Kur erdhi tek Inter ai siguroi që secili lojtar të jepte 200%, por jo për ekipin ose vetë lojtarin, por për të. Kjo e bën me të vërtetë special për mua. Kur arriti një në nivele të larta, solli një ajër të freskët, diçka të re. Ai ka këtë mënyrë të shprehuri, ka vetëbesim te vetja, ashtu siç kam dhe unë. Njerëzit e quajnë arrogancë, por nuk është kështu.”
Ibra mendon se Junajtid ka një skuadër konkurruese dhe portugezi do të jetë në gjendje të rikthejë te fitoret dhe fitimi i trofeve.
“Besoj se ka aftësinë për të fituar. Besoj se është trajneri i duhur për Mançester Junajtid dhe për kontingjentin që ka në dispozicion. Por siç thuhet, një trajner është aq i mirë, sa është kontingjenti i tij, kështu që nuk mund të bëjë mrekulli, nëse skuadra nuk është e mirë. Por unë mendoj se skuadra e Junajtid është mjaft konkurruese. Është viti i tretë i trajnerit në ekip dhe lojtarët përshtaten gjithnjë e më shumë me atë që kërkon Murinjo në fushën e blertë. Kështu që mendoj se mund të fitojë me këtë ekip”, përfundon Zllatan Ibrahimoviç.