Vitet e fundit në futboll versioni “tiki-taka” bëri revolucion të madh. Një revolucion që më së shumti nisi në Spanjë, me Barcelonën si simbol të këtij futbolli dhe Pep Guardiolës, si një ndër trajnerët kryesorë në ndërtimin e këtij modeli loje.
Kohët e fundit po vërtetohet çdo ditë e më shumë, se mënyra “tiki-taka” nuk është më një model fitues. Mbajtja e topit për një kohë të gjatë si dhe pasimet e shumta duket se nuk kanë më efikasitetin e disa kohëve më parë. Në një studim të bërë për La Ligën, vihet re një ndryshim drastik, teksa ekipet që kanë mbajtur më shumë topin kanë dalë të humbur në fundin e ndeshjes.
Në studim janë marrë 79 sfidat e luajtura deri tani në kampionatin spanjoll, teksa nga këto ndeshje vetëm 24 takime janë fituar nga ekipet që edhe kanë pasur përqindjen më të madhe të mbajtjes së topit. Thënë ndryshe, vetëm 30% e ndeshjeve janë fituar nga ekipi që ka zotëruar më shumë topin.
Bie në sy java e fundit që lamë pas, ku Barcelona nuk arriti më shumë se një barazim ndaj Valencias, pavarësisht se zotërimi i topit nga katalanasit ishte 76%. Reali i Madridit dhe Atletik Bilbao humbën respektivisht ndaj Alavesh dhe Sociedad, pavarësisht se e mbajtën topin në zotërim për 70% të kohës së ndeshjes.
Si përfundim, ajo që e konfirmon edhe më shumë është fakti se Sevija, që është ekipi që udhëheq La Ligën, ka një mesatare prej 49.19% të mbajtjes së topit deri tani dhe ndodhet në vendin e parë.