Laçi i tij po bën mirë dhe normalisht që trajneri Artan Mërgjyshi pyetet edhe për objektivin titull. Tekniku u kurbinasve, në deklaratën e dhënë për emisionin “Gol pas Goli” në Supersport kërkoi të mbante ekipin e tij me këmbë në tokë.
TITULLI – “Është një fitore me shumë vlera, për renditjen dhe për moralin e skuadrës. Luajtëm mirë edhe në ndeshjen e sotme, por nuk mund të them që jemi për titull. Jemi një skuadër e re, por që lufton dhe tregon karakter, që dëshiron të luajë futboll. Nuk shohim larg, vazhdojmë rrugën tonë.
NJERIU GOL MUNGON – “E vërtetë, por kemi lojtarë që krijojnë dhe e njohin portën, ndaj kemi ekuilibër në lojën sulmuese”.
TIRANA – “Kishim marrë masa sa mundëm për të bllokuar lojën e Tiranës, duke e ditur që do luante sërish me 4-4-2. Besoj se ia dolëm mbanë”.
XHOLI SHTUBINA – “Këto janë mundësitë, marrim maksimumin me lojtarët që kemi në dispozicion. Shtubina bën disa role dhe e përdor shpesh në pozicione të ndryshme”.
ARBITRI – “Nuk do flas më, jam marrë shumë në të shkuarën, sepse i kam vuajtur shpesh gjykimet. Për mua janë të dyshimta të dyja rastet. Nuk shoh ndonjë faull ndaj Ngo, bile duart e sulmuesit të Tiranës janë të hapura. Blazhevski pretendoi penallti? Nuk e di, më duket se ai ka mundësi të avancojë përpara, por ka kërkuar një kontakt dhe nuk shoh kontakt, më duket simulim dhe gjyqtari ka vepruar drejt”.