“Sarri-Mania”, magjepset Fabregas: Dua të bëhem si ai!

Mauricio Sarri i ka bërë të gjithë për vete te Çelsi: klubin, tifozët dhe lojtarët. Të gjithë janë të lumtur me stilin e futbollit ofensiv të trajnerit italian dhe komplimentet për te nuk mungojnë. Ka dhe nga ata që janë me valixhe në duar si Çesk Fabregas, të cilit i skadon kontrata në verën e ardhshme, por Sarri i ka bërë të gjithë të ndërrojnë mendje.

Mesfushori spanjoll ka folur për “Independent”, ku deklaron se dëshiron të qëndrojë në Londër, ndërsa në të ardhmen, nëse bëhet trajner, do të dëshironte të zhvillonte futbollin e Sarrit. Ndeshjet e fundit si titullar dhe efekti Sarri kanë bërë që Fabregas të ndryshojë mendje dhe tashmë pret një sinjal të klubit për të rinovuar.

SITUATA – “Për momentin mbetet gjithçka e hapur, por të jem i sinqertë, klubi akoma nuk më ka bërë të dituar asgjë për rinovimin. Në këto kushte i bie të largohem nga Çelsi pas tetë muajsh. Por do të më pëlqente shumë të qëndroja. Jam ndjerë shumë mirë në 18 muajt e fundit. Tani ka ndryshuar gjithçka dhe kemi ndjesi të reja. Loja kalon e gjitha në këmbët e mia, ose të Zhorzhinjos.”

SARRI – “Sinqerisht do të dëshiroja që Sarri të kishte ardhur pak më herët këtu, sepse për mua është pak vonë. Në të ardhmen dua të punoj si ai, nëse do të bëhem trajner. Do të bëja diçka të ngjashme me atë që po bën Sarri, sepse e shohim futbollin në mënyrë të ngjashme.”

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *