Mbyllen dy ndeshjet e para të mbrëmjes së sotme në Champions. Fitore e thellë për PSG, që fitoi përballë Cërvena Zvezdës me rezultatin 5-1. Sfida tjetër e zhvilluar në Rusi, midis Lokomotivës së Moskës dhe Shalke 04, është mbyllur me fitoren e miqve, të cilët arritën të siguronin një tre pikësh të artë.
Francezët e Tuhel morën tre pikët e para pas humbjes me Liverpulin në ndeshjen e parë të grupit. Fitore e thjeshtë për kampionët e Francës, të cilët shënuan katër herë brenda 22 minutave. Nejmar kaloi vendasit në avantazh nëpërmjet një goli shumë të bukur nga goditja e dënimit. Braziliani gjeti dhe golin e dytë mbas dy minutash, ku shfrytëzoi një pasim të Mbape.
Francezët shënuan dhe dy gola të tjerë në fundin e pjesës së parë. Edison Kavani trefishoi rezultatin nëpërmjet një veprimi të bukur në zonë, ndërsa Di Maria shënoi dhe firmën e tij tre minuta nga fundi i pjesës së parë.
Në pjesën e dytë ishte radha e Kilian Mbape për të gjetur golin. 19-vjeçari shënoi një gol të thjeshtë, ndërsa gjermani Marin gjeti golin e nderit pas katër minutash, pas një goditje të bukur në zonë, duke mposhtur Areolën. Në fund pati festë për Nejmarin, i cili shënoi golin e gjashtë për ekipin dhe siguroi tripletën personale. Braziliani përsëriti goditjen e dënimit të pjesës së parë, duke shënuar një gol të mrekullueshëm.
Në sfidën tjetër gjithçka u vendos në minutat e fundit të ndeshjes. Amerikani Mek Keni shënoi në minutën e 88-të, duke i dhënë fitoren ekipit gjerman. Shalke ngjitet në kuotën e katër pikëve pas dy ndeshjeve të para, ndërkohë që ekipi rus mbetet në kuotën e zero pikëve.
Lokomotiva e Moskës – Shalke 04 0-1
(Mek Keni 88’)
PSG – Cërvena Zvezda 6-1
(Nejmar 20’, 22’, 81’, Kavani 37’, Di Maria 42’, Mbape 70’, /Marin 74’)