Real Madrid dhe Barcelona janë dy skuadrat dominuese në Spanjë, pa harruar dhe Atletiko Madridin që herë pas here kërkon që të jetë në duelin mes dy “big”-ëve. Për skuadrat e tjera është shumë e vështirë që të marrin rezultat pozitive ndaj dy Barçës dhe realit.
Gjatë një viti kalendarik shumë pak skuadra kanë mundur që të marrin pikë si me “katalanasit” ashtu dhe me “galaktikët”, por në shekullin e 21-të ka qenë e pamundur, deri mbrëmë, që një futbollist t’i shënojë gjatë një viti gol të dyja skuadrave të sipërpërmendura. Barcelona arriti që të barazonte 2-2 ndaj Zhirones në një takim deri diku dramatik ,për mënyrën se si shkuan gjërat, pasi mbeti me 10 lojtarë që në pjesën e parë. U desh një gol i Pikesë që skuadra e Valverdes të mos dilte pa pikë nga kjo ndeshje.
Kristian Stuani arriti që t’i shënonte dy herë Barcelonës ditën e djeshme, duke i dhënë Zhironës një pikë me shumë vlerë, ndaj një kundërshtari në letër shumë më superior. Uruguaiani i ka shënuar 2 gola dhe Real Madridit në 18 marsin e këtij viti, duke u bërë kështu i pari lojtar në këtë shekull të ri që i shënon si Barecelonës ashtu dhe Realit të Madridit. Një statistikë e veçantë për sulmuesin, që tani ka me se të mburret.