“Ish-trajneri i përfaqësueses italiane, Xhiampiero Ventura, ka dhënë mendimin e tij për edicionin e ri të Serie A. Në një intervistë për radion napolitane “Kiss Kiss Napoli”, tekniku 70-vjeçar tha se skuadra e drejtuar nga Karlo Ançeloti mbetet rivalja e më e fortë për kampionët në fuqi të Juventusit.
“Kohët e fundit ka pasur një diskutim se kush do të jetë ekipi “Anti-Juventus”, por të mos harrojmë se Napoli grumbulloi 91 pikë sezonin e kaluar. Ançeloti jo vetëm që është një trajner i sprovuar, por edhe një njeri shumë inteligjent, ai ka ruajtur shumë nga dora e Sarrit te loja e Napolit dhe javë mbas jave ai do të shtojë diçka nga idetë e tij”, tha Ventura.
Tekniku italian foli edhe pak për fillimin e dobët të skuadrës së Spaletit: “Interi ka bërë disa blerje të mëdha, por ashtu si ndodhi dhe vjet me Milanin, merkato e mirë nuk të garanton suksese në fushë. Askush nuk e kishte imagjinuar se ata do të kishin vetëm 1 pikë pas dy ndeshjeve të para”.