Zhoze Murinjo është si kapiteni i një anijeje që po mbytet, por nuk fundoset pa luftuar dhe mundohet të ruajë krenarinë deri në fund, pasi fundja ka më çfarë të krenohet.
Trajneri i Mançester Junajtid është në fije të perit pas humbjes më të thellë shtëpiake në karrierë, kundër Totenhemit, por pas ndeshjes duartrokiti tifozët dhe në konferencë për shtyp dhuroi spektakël, duke e mbyllur me një dalje nervoze ku kërkonte respekt.
“I duartrokita tifozët sepse ata nuk lexojnë gazeta, nuk shohin TV, janë tepër të zgjuar për t’u bërë pjesë e cirkut.
“Ne humbëm me rezultat, por nuk humbëm realisht. Në aspektin taktik ne nuk humbëm. Totenhemi shënoi golat, i treti mbylli ndeshjen, por nuk humbëm.
“3-0, e dini çdo të thotë? Tre, aq gola pësuam dhe aq pikë humbëm. Por tre do të thotë edhe sa herë e kam fituar unë Premier Ligën, ndërsa gjithë trajnerët e tjerë së bashku e kanë fituar dy herë. Respekt, duhet respekt! “.