Higuain: Te Milani më duan të gjithë, te Juventusi e Çelsi jo

Gonzalo Higuain është tashmë futbollist i Milanit dhe entuziazmi në kampin kuqezi është në maksimum. Sulmuesi argjentinas ka shënuar 146 gola në 5 sezonet e fundit në të gjitha kompeticionet.

Sot Higuain ka folur për herë të parë si kuqezi, në një konferencë për shtyp të pritur me shumë interes nga mediat e tifozët.

“Falënderoj Milanin për sforcimin e madh që bëri për të më marrë. Projekti që më është paraqitur më ka motivuar shumë, është sfidë shumë e bukur pas karrierës që kam pasur dhe shpresoj ta shpërblej këtë besim ndaj meje. Milani ka një histori të jashtëzakonshme, ishte një krenari e madhe për mua të merrja ofertë nga ky klub. Shpresoj të bëj gjëra shumë të mëdha, Milani meriton të kthehet në nivelin që i takon. Mund të bëjmë gjëra të mëdha, rëndësi ka të besojmë”.

Milanelo i ka bërë përshtypje të veçantë sulmuesit: “Më ka futur të dridhurat, është diçka speciale. Më ka lënë mbresa dhe kam 12 vite që luaj në Europë”.

Juve është e shkuara: “Kam vetëm falënderime, kanë qenë dy vite të bukura. Alegri? Kemi pasur ndonjë mosmarrëveshje, por nuk është kjo arsyeja pse erdha te Milani. Nuk kam asnjë peng që nuk do luaj me Ronaldon, kam luajtur me të në Madrid. Juventusi vendosi që nuk duhej të vijoja atje dhe vij në një skuadër ku më kanë treguar sa më duan. Leonardo ka ndikuar shumë në mbërritjen time, e njoh prej kohësh. Çelsi? I vetmi që më donte ishte Sarri, ndërsa te Milani më donin të gjithë”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *