Napoli i ka bërë një nisje perfekte kampionatit, sepse pas triumfit në Champions league kundër Nicës, sot në mbrëmje fitoi 3-1 në Verona.
Një ndeshje e dominuar totalisht nga jugorët, që në minutën e 32-të u ndihmuan nga një autogol i Veronës për të kaluar në avantazh, me Suprajen që e çoi topin në rrjetën e vet.
Shtatë minuta më vonë sulmuesi polak Milik shënoi golin e dytë dhe të qetësisë. Gulam në të 62-tën vulosi suksesin, por në të 82-tën erdhi goli veronez me Pacinin nga pika e bardhë. Protagonist negativ Elseid Hysaj, i cili e kishte marrë një karton të verdhë në minutën e 52-të dhe në të 82-tën nuk arriti të mbyllte si duhej hapësirën e tij në mbrojtje, duke u detyruar të shkaktonte faull ndaj një lojtari veronez. Karton i verdhë, për pasojë i kuq, përveç penalltisë.
Për fat, fitorja ishte siguruar, por Hysaj do të mungojë ndeshjen e ardhshme dhe natyrisht trajneri Sarri do t’ia tërheqë jo pak veshin për një pakujdesi të pafalshme, sepse mbrojtësi ynë i kishte të gjitha shanset ta evitonte penalltinë.