Arsenali është gati të paguajë 72 milionë për të marrë Marko Asension nga Reali, raportojnë mediat në Spanjë. Klauzola e talentit të Realit është ende “normale” dhe Arsenali po mundohet të përfitojë, aq më shumë që rrezikon të humbasë Aleksis Sançez. Asensio, vetëm 21 vjeç, po transformohet në yll te Reali, por nuk është titullar dhe mund të joshet nga Arsenali. Gjithsesi, DiarioGol shkruan se lajmi për interesimin e Arsenalit mund të jetë edhe një lojë e vetë lojtarit, për të përmirësuar kontratën e tij në Madrid dhe për të marrë garanci aktivizimi më të rregullt.
Sançez në Paris – Aleksis Sançez mbetet misteri i madh i merkatos së Arsenalit, sepse e duan shumë klube, por Arsenali nuk dëshiron ta shesë. Kiliani ka dëshirë të largohet, për të fituar, trofe dhe shumë para. Të paktën paratë ia garanton PSG-ja, që mund ta marrë nëse nuk ia del për Kilian Mbapenë. Ndërkaq, vetë Sançez nuk del hapur, por në Twitter bëri një gafë ditët e fundit, sepse iu përgjigj dikujt dhe doli që vendi nga shkruante ishte në Paris. Rastësi?
Lukas Perez largohet – Arsenali e bleu një vit më parë për rreth 15 milionë dhe tifozët e masakruan. Lukas Perez ishte një operacion i dështuar që në nisje, sepse tek Arsenali prisnin ndonjë emër të madh në sulm dhe jo një 27-vjeçar i cili luante tek Deportivo La Korunja. Tani Lukas Perez ka bërë gati valixhet: makthi i tij pritet të marrë fund në ditët e ardhshme dhe pikërisht Deportivo do të jetë destinacioni i ardhshëm, aty ku në sezonin 2015/2016 shkëlqeu, me 17 gola në 36 ndeshje.